Mbahet në Leçe nga data 18 deri më 23 prill Festival del Cinema Europeo. Tanimë është publikuar edhe programi ku merr pjesë edhe filmi shqiptar “Krom”, regjia Bujar Alimani. Një ndër filmat e financuar në vitin 2014 nga QKK, që arrin në kohë rekord të përfundojë xhirimet dhe të kryejë premierën e tij brenda një viti.
“Krom është prezantuar në: “EAST OF THE WST Competition” në Karlovy Vary International Film Festival, Hamburg International Film Festival, Festivalin e 37-të Ndërkombëtar të Filmit në Montpellier, 36 Manaki Brothers International Cinematographer’s Film Festival, Festivali i Segovia-s në Spanjë, etj. Filmi tregon historinë e një familjeje. Një nënë memece, që pas dy humbjeve të bashkëshortëve i duhet të vazhdojë të rrisë fëmijët e të jetojë edhe ajo vetë jetën e prerë përgjysmë.
Djali i saj pesëmbëdhjetë vjeç, që përpiqet të njohë vetveten në një adoleshencë të vështirë mes shkollës dhe minierës së kromit. Një mashkull që hyn mes djalit e nënës, sepse nuk ka asnjë tjetër veç saj dhe një mësuese rock, që është rebeluar dhe ka ikur nga shtëpia për t’iu gjendur djalit si një engjëll në rrugën e tij. “Gjashtë muaj pasi kisha shkruar versionin fillestar të skenarit, kuptova që dy personazhet kryesore merrnin jetë nga dy vëllezër që njihja kur isha fëmijë. Tani më kujtohet që vëllezërit rrinin gjithmonë të veçuar e ishin të mbyllur në vetvete.
Gjithë lagja, përfshi mua talleshim me gjysmë-vëllezërit, sikur të ishte faji i tyre që kishin baballarë të ndryshëm. Ndoshta ‘Krom’ ishte një formë ndjese që kam dashur t’u kërkoj gjithmonë atyre fëmijëve”, ka thënë regjisori. Në të interpretojnë: Fredjon Ruçi, Klodjana Keco, Mirela Naska, Kasem Hoxha, Denis Shira, Bledar Naska, Erjona Kaja, Suela Bako, Xhevdet Doda dhe Albulena Kryeziu.
(m.k/GSH/BalkanWeb)
