Mijëra abonentë të kompanisë telefonike “ONE” kanë qenë pa shërbim ditën e sotme në telefonat e tyre.
Asnjë prej shërbimeve të ofruara nga kjo kompani, thirrjet telefonike, mesazhet apo edhe shërbimi i internetit nuk kanë qenë të disponueshëm për qytetarët.
Qindra prej tyre kanë tentuar të lidhen me kompaninë përmes telefonit apo duke shkuar në pikat e tyre, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Në rrjetet sociale, përfshi edhe faqen e kompanisë në Facebook ata shprehen të indinjuar nga mungesa e përgjegjësisë nga ana e “One”.
Reagimi i kompanisë
Dëshirojmë të informojmë abonentët e One Albania se kemi pasur disa probleme teknike, të cilat për fat të keq për disa prej tyre kanë çuar në ndërprerje të përkohshme të shërbimeve të rrjetit 4G.
Ne duam t’ju sigurojmë se të gjithë ekipet tona kanë qenë plotësisht të angazhuara dhe të përkushtuara për zgjidhjen e problemeve, duke rikthyer shërbimin për të gjithë abonentët e prekur, në kohën më të shpejtë të mundshme.
Kërkojmë shumë ndjesë për çdo shqetësim që mund të ketë shkaktuar kjo situatë dhe duam të shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt për durimin tuaj.
Për çdo pyetje ose sqarim, lutemi mos hezitoni të kontaktoni ekipin tonë të kujdesit ndaj klientit në numrin 123.
Faleminderit për besimin dhe durimin tuaj të vazhdueshëm.
