Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, po paraqet para gjykatës konkluzionet e mbrojtjes në çështjen e inceneratorit të Fierit. Përmes avokatit, Koka pretendoi se nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore. Lajmi raportohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.
Në pretendimin e tij, avokati pohon se ish-ministri Koka nuk ka pasur asnjë kompetencë vendimmarrëse sa i takon çështjes së inceneratorëve. “Ministri ka vetëm një kompetencë, urdhrin për ngritjen e komisionit për dhënien e koncensionit. I pandehuri Lefter Koka ka nënshkruar kontratën koncensionare si titullar, jo si vendimarrës”, tha avokati Julian Mërtiri. Prokuroria e Posaçme kërkon 10 vite burg për ish-ministrin, i cili deklaron pafajësinë e tij. Kujtojmë se Koka qëndron pas hekurave për shpërdorim detyre për aferën e inceneratorëve.
Koka kundërshtoi edhe akuzën e korrupsionit që ka ngritur SPAK ndaj tij. Sipas avokatit derisa Koka nuk ka shpërdoruar detyrën nuk ka si të ketë bërë korrupsion. “Lefter Koka nuk ka asnjë kontakt me koncensionarët. Akuza nuk ka provuar as marrëveshje, as marrie-dhënie parash”, theksoi avokati. Ndër të tjera avokati tha se ka qenë Ministria e Financave që ka vlerësuar ligjshmërinë e procedurës dhe që ka lëvruar fondet publike. “Nëse do të kishte konstatuar probleme le ta kthente”. Sipas mbrojtësit, gjithë procedura është shqyrtuar nga të gjitha institucionet përkatëse”, -tha me tej avokati.
Ndërkohë, gazetarja Lala ka siguruar dhe një përmbledhje të përpiluar nga ana e avokatit të Kokës.
“Një dosje hetimore e fraksionuar në copa me qellim moszbardhjen e te vërtetës dhe përgjegjësive te secilit. Akuza është kopje e ekzakte e akuzës së procesit Elbasanit me të njëjtët persona, të njëjtat shoqëri dhe të njëjtat fakte penale, madje dhe pretenca është e njëjtë. Kosto e impiantit të Fierit ka tejkaluar vlerën që shteti ka paguar dhe koncesionari ka pësuar humbje të renda. Administratori i përcaktuar nga shteti ka faktuar se koncesionari ka paguar 5.2 milionë euro punime shtesë, pa marrë asnjë fond nga buxheti i shtetit si dhe ka pësuar një dem prej 3 milionë euro. Hetimi shmangu dhe pengoi të vërtetën për këtë impiant duke mos kryer një akt ekspertimi inxhinierik pasi e kuptoi që do të dështonte në akuza në rast se do ta kishte bërë një të tillë. Procedura është konform ligjit e filtruar edhe nga anëtarët e institucioneve që kishin detyrë me ligj ta filtronin dhe monitoronin ligjërisht.
Çështja mbi shpronësimin e tokës është gjykuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata Administrative, e cila e ka cilësuar Truall pronën e shpronësuar, ndërsa ministria e Mjedisit e shpronësuar me vlere tokë are me një vlerë 6 fish më pak. Punimet kanë filluar për përgatitjen e kantierit që në vitin 2017 sipas lejes provizore të Bashkisë faktuar kjo edhe nga Vendimi i Gjyqtares Paraprake të çështjes. Askush nga personat e pyetur deri më sot nuk dëshmon të jetë influencuar apo t’i ketë dhënë para korrupsioni Lefter Kokës. Nuk rezulton asnjë njohje e Lefter Kokës me koncesionarët. Hetimi dhe akuza bazohen vetem ne disa fatura shoqërish pa analizuar dhe provuar sesi kanë shkuar këto leke të Lefter Koka. Për ccdo paragraf të akuzës kemi paraqitur me qindra dokumente dhe argumente që katerciperish vërtetojnë të kundërtën? Lefter Koka nuk ka asnjë pasuri të shtuar pas 2013, faktuar nga hetimi dhe ILDKPKI. Ku janë paratë e korrupsionit dhe si janë pastruar? Prona që kërkoni të sekuestroni ka një vlerë 4 fish më të larë se vlera e korrupsionit të pretenduar. Asnjë qindarkë e pa justifikuar nuk është gjetur në pasurinë e Lefter Kokës. Asnjë cent nuk është kapur si provë e korrupsionit. Akuzat pa prova forcojnë bindjen se Lefter Koka sulmohet politikisht dhe me porosi.”, thuhet në qëndrimin e avokatit.
(BalkanWeb)
