Nën tingujt e muzikës popullore të trevave të Skraparit,është organizuar sot në Skrapar Festa e Rakisë dhe Panairi i produkteve bujqësore e blegtorale “bio” të zonës.Dhjetëra fermerë nga shumë fshatra të zonës së Skraparit janë bërë pjesë e panairit,duke ekspozuar në të produktet të shumta “bio” si: djathë ,gjalpë, mjaltë, bajame, vaj ulliri, raki, rani etj.
Në këtë festë,përveç fermerëve të të gjitha trevave të kësaj zone kanë qenë të pranishëm edhe deputetët e qarkut,përfaqësues të pushtetit vendor,profesor Namik Dokle,profesor Sherif Bundo etj, të cilët kanë vizituar tezgat e ngritura në sheshin qendror të qytetit,ku ata kanë shijuar produkte të shumta dhe kanë ngritur edhe “dolli” me raki,pijen e traditës së këtij qyteti.Fermerët në panair kanë deklaruar se këto organizime janë mënyra më e mirë për ta,për të reklamuar dhe shitur produktet e tyre “bio”.
Pas panairit,në ambientet e bashkisë së Skraparit është organizuar ceremonia e promovimit të librit “Dollia” të autorit Sherif Bundo. Profesor Sherif Bundo ka lindur në Përmet në vitin 1956,është diplomuar në financë dhe kontabilitet në Universitetin e Tiranës,ku sot është profesor i Financave,me një përvojë të gjatë në botën akademike.Kryebashkiaku i Skraparit Adriatik Mema,ka theksuar në fjalën e tij vlerat që përcjell ky libër, në të cilin ndiqen rregullat e traditat e dollisë në rrethin e Skraparit.
Për Namik Doklen, kjo e sotmja ka qenë një ditë e veçantë,mes kombinimit të panairit dhe promovimit të librit. Dokle ka deklaruar se libri i Sherif Bundo pasqyron traditën e skraparllinjve, pasi libri flet për traditën,kulturën,zakonet,mikpritjen etj.Sipas Dokles,është detyrë e intelektualëve që tradita të tilla të ruhen nëpërmjet librave.
Deputeti i Skraparit, Nasip Naço, e ka cilësuar “të rëndësishëm” panairin e përvitshëm, që “qershinë mbi tortë” kishte, sipas tij, promovimin e librit të Sherif Bundos, një libër i shkruar prej tij për traditat e zonës së Skraparit dhe zonave të tjera të Shqipërisë, që e ngrenë dollinë në mënyra të ndryshme.
Profesori Sherif Bundo ka pohuar se shkrimi i librit monografik për dollinë i ka ardhur në mënyrë të natyrshme,si një detyrim shpirtëror ndaj kulturës,traditës dhe të gjithë atyre elementeve antropologjikë të mënyrës së të jetuarit e të sjellurit në këto treva.Ai ka pohuar se libri “Dollia” është një reflektim i thellë shpirtëror për shkak të njohjes dhe thellimit të bërë në jetën e përditshme,traditën dhe edukatën e zonave të Skraparit.
Duke pohuar se mënyrën sesi ngrihet “dollia” e ka mësuar në Skrapar, profesor Sherif Bundo ka deklaruar se një grup i madh personalitetesh,intelektualësh dhe institucionesh,mes tyre edhe Universiteti i Tiranës dhe Akademia e Shkencave kanë vendosur të mbështesin propozimin që “Dollia” ti propozohet UNESCO-s për ta futur si element i trashëgimisë botërore kulturore.
