Ukraina ka marrë këstin e nëntë të ndihmës financiare nga Bashkimi Evropian, me një vlerë prej 1,5 miliardë eurosh, njoftoi sot kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal në Telegram.
“Ukraina ka marrë këstin e nëntë të ndihmës makro-financiare prej 1,5 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian”, shkruan Shmyhal.
Shmyhal shtoi se mbështetja buxhetore e BE-së për Ukrainën në vitin 2023 ka arritur tashmë në 15 miliardë euro.
“Ky është një nga faktorët më të rëndësishëm që e ndihmon Ukrainën të mbetet ekonomikisht e fortë dhe e qëndrueshme”, theksoi ai.
“Aktualisht, po punojmë me Komisionin Evropian për një program të ri instrumentesh afatgjatë për Ukrainën me vlerë 50 miliardë euro. Ne presim të marrim 18 miliardë euro vitin e ardhshëm”, shtoi Shmyhal.
