Akademiku dhe profesori Artan Fuga ka mbajtur një bisedë në “Shtëpinë e Europës” në Tiranë me temën “Barazia mes burrit me gruan: identitet apo komplementaritet- Pornokracia në mendimin e Prudonit”. Vetëm tema merr shkas nga libri i tij më i fundit, “Zbulimi i erosit në antikitet- një arkeologji e dashurisë”
“Koncepti i pornografisë vjen me një problem qendror, në martesë, burri dhe gruaja janë të barabartë, problemi filozofik vjen kur ne konsiderojmë konceptin e barazisë, ç’domethënë barazi? Sepse barazia ka dy mundësi interpretimi, mundësia e parë është identiteti, burri dhe gruaja janë identik dhe mundësia e dytë është që burri dhe gruaja janë të barabartë, por nuk janë identikë, janë komplementarë, janë ekuivalenetë dhe për këtë sulmohet”, tha Artan Fuga.
Ndërsa solli në vëmendje sulmet që ju bënë Pierre Josef Prudonit, nga perandoria dhe Marksi kur Prudoni paralajmëroi se proletariati nuk do ta emancipojë gruan, akademiku Fuga u ndal edhe mbi konceptin e demokracisë.
“Gruaja është garantja e shenjtërisë së familjes dhe koncepti i demokracisë vjen nga dalja e gruas në hapësirë e familjes sepse gruaja moderon pushtetin e burrit. Në vend që të kërkojë barazinë në formën e identitetit pra ta kthejë gruan në burrë, gjë që do të shkatërronte, burrin, gruan, familjen dhe fëmijët, unë do të isha që të krijohen kushte të tilla që secila nga këto pjesë të familjes e dy anë të qenies androgine njerëzore, të lulëzojnë”, vërejti profesori.
Libri i ri i Fugës merr në shqyrtim erosin në disa rrafshe nisur nga “Gostia” e Platonit dhe mendimi i Sokratit.
