TIRANE – Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e prezantimit të projektit të stadiumit “Arena Kombëtare” në Tiranë, kryeministri Edi Rama u shpreh i bindur se ky stadium do të jetë ndër më të bukurit në Europë.
Sipas kryeministrit, sot kemi skuadrën e duhur, (mes qeverisë, Federatës së Futbollit, arkitektit dhe një kompanie të shquar shqiptare), që do të mundësojnë një stadium ku siç tha ai, do të luhen jo vetëm ndeshjet e kombëtares, por edhe finale të Superkupës së Europës.
“Ne kemi qenë dhe jemi dhe do të jemi deri në fund mbështetës shumë aktiv të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të sportit në tërësi, të bindur që ky është një investim përtej sportit. Edhe Shqipëria do ketë një stadium të standardeve më të larta evropiane. Një stadium ku të luajë jo vetëm kombëtarja, por mundësisht edhe një finale e Superkupës së Europës apo Europaleague-s, dhe do t’ia dalim, duke patur një stadium nga më të bukurit në Europë.”- u shpreh kryeministri.
Duke iu përgjigjur kritikëve, që thonë se stadiumi nuk do të sjellë bukë për shqiptarët, kryeministri tha: “Në fakt stadiumet sjellin edhe bukë. Mjafton të shikoni impaktin në ekonominë lokale të Elbasanit nga “Elbasan Arena”. Stadiumi i ri “Arena Kombëtare” do të ketë një influencë të rëndësishme në ekonominë e kryeqytetit. Do të jetë një hapësirë e gjallë që do funksionojë përditë. Një qendër e rëndësishme e jetës së kryeqytetit, siç janë sot stadiumet.”
Ndër të tjera kryeministri nënvizoi se 1 euro e investuar në sport është e barabartë me 3.7 euro të kursyera në shëndetësi.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se si fillim u ndërtua shtëpia e parë e Kombëtares, siç ishte ‘Elbasan Arena’. Sakaq, ai theksoi se nëse nuk do ndërtohej ai stadium, Shqipëria do ishte detyruar që t’i zhvillonte ndeshjet për kualifikimin në Europian në stadiumet e vendeve fqinje.
“Është një kërcënim shumë serioz që Shqipëria të humbiste ndeshjet për kualifikimin në Europian. Ndaj, ndeshjet që na çuan në Europian do ishin zhvilluar në vendet fqinje. Ndaj ja dolëm që ti japim Kombëtares një shtëpi të parë, dhe menduam serish për një shtëpi të dytë dhe kemi menduar ta çelim në ditën e Europës dhe në aktivitetin që do mbahet në kuadër të saj. Ndërkohë, këtu jemi për të parë shtëpinë e tretë të Kombëtares.”, tha Rama. Ndër të tjera ai theksoi se Federata Kombëtare e Futbollit nuk do shpenzojë asnjë qindarkë për ndërtimin e stadiumit ‘Qemal Stafa’, pasi do të jetë një investim fal partneritetit publik-privat.
“As Federata për Arenën Kombëtare nuk do shpenzojë asnjë qindarkë, pasi do jetë një partneritet publik-privat. E rëndësishme është që do sjellim shumë shpejt në kryeqytet një investim prej 50 mln euro, që do ta bëjë kompania private. Ne shmangëm një zgjedhje që ishte e pamundur. Shpresoj që arkitekti, i cili sapo ka përfunduar të dytin stadium modern në Udine, të bëjë një prezantim të projektit, i cili nuk duhet të jetë vetëm për një ditë, por për 7 ditë.”, pohoi Rama.
I pranishëm në këtë prezantim ishte dhe përfaqësuesi i UEFA-s, i cili pohoi se për Shqipërinë do të ofrohet mbështetja financiare dhe përvoja.
“Më kërkuan që të flas në italisht. Me marrëdhëniet që kemi, ka bërë që të lindin marrëdhëniet e një miqësie të madhe. Kam pasur nderin dhe kënaqësi të jem i pranishëm në dy ndeshje në Elbasan dhe Shkodër. Kam parë atë që normalisht mund të shoh në fillim të qershorit. Kujtimet në ‘Qemal Stafa’ nuk ishin aq të bukura. Do sjellim përvojën tonë edhe nëse do na e kërkojë federata, edhe me mjete financiare.”, tha ai.
(er.nu/ed.me/BalkanWeb)
