Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi ka reaguar në lidhje me përjashtimin e deputetëve të opozitës në lidhje me kaosin në Kuvend.

Në një reagim në rrjetet sociale, Çupi shkruan se përjashtimi i deputetëve shkon kundër kërkesës së faktorit ndërkombëtar për dialog konstruktiv. Ndër të tjera ajo shprehet se ‘përjashtimet vetëm sa na nxisin në rrugën tonë të drejtë!’.

Kujtojmë se Sekretariati i Etikës ka vendosur që 4 deputetë të opozitës të përjashtohen për 10 ditë nga Kuvendi, pas tensioneve dhe kaosit të shkaktuar në seancën plenare të së hënës, ku u ndezën edhe flakadanë, teksa miratohej buxheti 2024.

Të përjashtuar janë deputetët; Flamur Noka, Bledion Nallbati, Gazment Bardhi dhe Flamur Hoxha.

Reagimi i deputetes Dhurata Çupi:

Përjashtimi i deputetëve të PD shkon kundër kërkesës së faktorit ndërkombëtar për dialog konstruktiv në parlament dhe përmbushjen e kërkesave kushtetuese të opozitës.

Përmes përjashtimit të deputetëve që protestojnë kundër mohimit të të drejtave kushtetuese nuk i shërben rolit mbikqyrës të Parlamentit dhe, aq më pak,  funksionimit normal të tij, siç kërkon ambasada e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Delegacioni i BE.

Për çfarë kanë ndodhur 47 përjashtime të deputetëve të opozitës që nga 5 tetori? Sepse kanẽ mbrojtur kushtetutën dhe nuk i janë nënshtruar qeverisë! Çfarẽ kẽrkojmẽ ne? Asnjë favor! Asgjë të paligjshme! Vetẽm tẽ drejtat tona kushtetuese për t’i shërbyer interesit publik:

  1. Ngritjen e komisioneve hetimore për kontrollin e qeverisë nga opozita.
  2. Heqjen dorë nga përpjekjet për emërimin e opozitës nga maxhoranca.

Vendi dhe shoqëria nuk mund të ketë asnjë të mirë,  kur shkelen të drejtat e opozitës dhe akoma më keq, kur opozita hesht. Ne kemi vendosur të mos heshtim, por të veprojmë. Përjashtimet vetëm sa na nxisin në rrugën tonë të drejtë!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: