Jamie Foxx u përlot gjatë eventit të Critics Choice Association. 55-vjeçari u nderua me çmimin Vanguard në këtë dalje të parë publike të tij pas një “ndërlikimi misterioz mjekësor” në muajin prill.

Aktori u shoqërua me duartrokitje të forta teksa iu drejtua skenës dhe iu adresua problemit të tij shëndetësor. “Është çmenduri, s’mundesha ta bëja këtë 6 muaj më parë, nuk mundja të ecja”, tha ai gjatë fjalimit të tij 12-minutësh përpara se të mblidhte veten nga emocionet e forta.

“Nuk jam një klon. E di që shumë njerëz thoshin se unë isha i klonuar. Dua t’i falenderoj të gjithë. Kam kaluar diçka, kam kaluar disa gjëra. Vlerësoj çdo minutë tani, është ndryshe. Nuk do ia uroja as armikut tim më të keq atë që kalova sepse është e vështirë kur thuajse mbaron, kur sheh tunelin… Unë pashë tunelin, nuk pashë dritën”, u shpreh Foxx, një deklaratë që lë të nënkuptohet se aktori ka qenë shumë pranë vdekjes.

“Kam një respekt ndryshe për jetën. Kam një respekt ndryshe për artin tim. Kam parë shumë filma dhe kaq dëgjuar shumë këngë duke u përpjekur të kaloja kohën. Mos hiqni dorë nga arti juaj”, shtoi ai. 55-vjeçari tha se arsyeja e të ndenjurit larg syrit të publikut ishte se nuk donte që ta shihnin të intubuar dhe të mendonin a do ia dilte dot mbanë, por ta mbanin mend për filmat dhe të qeshurat.

Personat e afërt me të nuk kanë dhënë asnjë koment rreth sëmundjes që e shtroi në spital, por në prill vajza e tij tha se i ati u sëmur gjatë xhirimit të filmit të tij të fundit, “Back in Action”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb