ITALI- Mediat në Itali kanë rikthyer edhe njëherë vëmendjen tek krimet e kryera nga Maurizio Minghella, i cilësuar si vrasësi serial i prostitutave dhe i dënuar me burgim përjetë për ekzekutimin e 6 femrave.
Por teknikat e reja të hetimeve kanë zbuluar fakte që e implikojnë Maurizio Minghellan edhe me vrasjen e shtatë prostitutave të tjera, mes të cilave edhe vajza shqiptare.
Bëhet fjalë për 7 vrasje të ndodhura në vitet 1996-1998 në Torino. Në atë kohë hetuesit nuk mund të zbulonin nëse ADN-ja e vrasësit ndodhej në sendet që iu gjetën viktimave, por sot një gjë e tillë është plotësisht e mundur dhe të gjitha dyshimet i kanë çuar hetuesit drejt Maurizio Minghellas, si autor i mundshëm i vrasjeve.
Ndër vajzat shqiptare që janë mbytur nga vrasësi serial janë: Heriona Sulejmani e vrarë në moshën 16¬-vjeçare, Elisa Isaku 22 vjeç, Nadia Shehu e cila u gjet e vdekur më 1 gusht 1997 dhe Floreta Islami e vrarë në vitin 1998.
Viktimat e tjera të Minghellas janë: Ebe Romano 35 vjeç, Fatima ‘H Dido, Tina Motoc, dhe Cosima Guido.
Në vitin 1978, Maurizio Minghella u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e 6 femrave në Genoa. Pas 18 vitesh ai u lirua nga burgu dhe u zhvendos në Torino, ku kreu vrasjet e tjera. Sipas hetimeve, ai përdorte teknikat e mbytjes me shami dhe mjete të tjera e më pas i mbështillte prostitutat me qilim.
(er.nu/BalkanWeb)
