TIRANE – Mes muzikantëve më në zë të Zvicrës, ata që luajnë muzikë jazz, ushtoi edhe Elina Duni Quartet! Nga skena e Jazzahead 2016, këngëtarja përcolli muzikën folklorike shqiptare të ngërthyer me muzikën jazz. Është folklor nga hapësira gjithëshqiptare! U luajtën e interpretuan këngë të Jugut të Shqipërisë, këngë tiranase, nga Veriu i Shqipërisë dhe Kosova, të gjitha në një koncert. Ky ishte koncerti i Elina Duni Quartet në Jazzahead 2016 – Swiss Jazz Night.

Por s’ishin veç të pranishmit në këtë sallë që dëgjuan muzikën e këngëtares Elina Duni dhe bandës së saj. Disa miliona shikues të televizionit franko – gjerman Arte, tanimë e njohin muzikën që Elina Duni interpreton dhe banda e saj luan, Jazz-in që ajo ka përcjellë këto vite në disa skena të mëdha e të vogla të botës.

Nga skena e ‘Swiss Jazz Night’, këngëtarja Elina Duni i thotë ndjekësve të saj: Jemi shumë të lumtur që jemi në Swiss Jazz Night! Ne luajmë këtu këngë tradicionale shqiptare të ngërthyera me traditën e xhazit, të trashëgimisë kulturore të Zvicrës. Kjo është një urë lidhjeje mes dy botësh, dy kulturash.

Mandej e ka radhën ‘Delja Rudë’, aq e njohur ndër shqiptarë….
E publikut të Swiss Jazz Night dhe ndjekësve të këtij koncerti në ekranin e televizionit Arte, këngëtarja i shpjegon: Kjo është një këngë nga Veriu i Shqipërisë, flet për një vajzë të re, e cila do të dalë me të dashurin e saj por e ka të lehtë ta bëjë! Delja është alibia e saj për të qëndruar pak me të dashurin e zemrës…!

Në koncert ka këngë dashurie nga Kosova!
Ndërsa gjithçka përmbyllet me dy këngë nga Tirana, vendlindja e saj. Janë dy këngë për bukurinë dhe gruan! Kështu u prezanton Elina Duni, këngëtarja shqiptaro-zvicerane e muzikës Jazz e cila bën të mundur që disa miliona njerëz në botë të njihen me muzikën folklorike shqiptare…të cilën ajo e ka çuar përgjatë këtyre viteve në shumë kënde të botës!
(er.nu/news24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: