KOSOVË- “Trepça është pasuri nacionale e Republikës së Kosovës, nuk është një kompani e thjeshtë e cila mund të tjetërsohet. Qeveria do të ndërmerr të gjithë hapat në mënyrë që të sigurohet legjitimiteti dhe interesi nacional mbi Trepçën”, kështu ka shkruar në një postim në Facebook kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.
Kryeministri Mustafa thotë se po punojnë ministritë përkatëse për të ofruar zgjidhjen afatgjatë, duke përfshirë edhe ruajtjen e vendeve të punës së mbi pesëmijë të punësuarve dhe atyre që potencialisht mund të punësohen në këtë gjigant kosovar.
Më tej kryeministri ka vlerësuar angazhimin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të Kuvendit të Kosovës për të gjetur zgjidhje afatgjatë.
“Por një gjë duhet të jetë e qartë, Trepça do ta merr statusin që e dëshirojnë minatorët, që e dëshirojnë qytetet e Kosovës”, ka përfunduar komentin e tij në facebook kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.
(a.h/BalkanWeb)
