TIRANE- Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri iu kërkon falje familjarëve të viktimave të 21 Janarit, duke e quajtur të padrejtë vendimin që kanë marrë gjykatat për këtë çështje. Në një status në Facebook, kreu i Minsitrisë së Brendshme shprehet se 21 Janari ishte dhe mbetet një krim i pandëshkuar.
Por duke u ndalur tek lajmet e publikuara në media, se Garda e Republikës ka justifikuar 21 Janarin në Gjykatën Administrative, për të kundërshtuar paditë e familjarëve të të ndjerit Faik Myrtaj dhe të familjarëve të Ziver Veizit me pretendimin se “Garda u detyrua të përdorë armët”, Tahiri tha se Garda vetëm ka cituar vendimin e gjykatës.
“Pavarësisht se Garda vetëm ka cituar vendimin e gjykatës, dua t’i kërkoj ndjesë familjarëve për sado janë lënduar nga përmendja e një vendimi haptazi të padrejtë! 21 Janari ishte dhe mbetet një krim shtetëror, ende i pandëshkuar”,- shkruan ai.
Garda justifikon “21 Janarin”: U detyruam të përdorim armët
“Garda u detyrua të përdorte armët e zjarrit pas shpërthimit të portës hyrëse”. Ky nuk është një konstatim i Gardës së Republikës, që Top Channel disponon. Përmes këtij dokumenti kundërshtohen në Gjykatën Administrative, paditë e familjarëve të të ndjerit Faik Myrtaj dhe të familjarëve të Ziver Veizit.
Së pari, Garda kërkon rrëzimin e padisë duke kujtuar se, në korrik të 2014-s, kryeministri Rama ka urdhëruar ngritjen e një grupi për vlerësimin e dëmit dhe, për sa kohë ka nisur një proces i tillë, paditësit duhet të prisnin një përgjigje. Duke shpjeguar vendimin e Gjykatës së Apelit, Garda citon se sulmi i protestuesve ka qenë i ashpër dhe efektivët e Gardës legjitimoheshin në përdorimin e armëve.
“Mendojmë se Garda e Republikës nuk mund të përgjigjet për këtë dëm, pasi nëse efektivët e policisë do të kryenin detyrën më 21 janar 2011 duke shpërndarë turmën, atëherë sigurisht nuk do të kishte qenë e nevojshme që Garda të përdorte armët, e si pasojë e këtij përdorimi të vinin viktimat. Në asnjë rast nuk duhet të harrohet tensioni, stresi dhe goditjet që kanë qenë të vazhdueshme. Përgjegjës për këtë situatë është po aq, në mos më shumë sesa Garda, Policia e Shtetit, pasi paaftësia për menaxhimin e demonstruesve solli viktimat”.
Më tej, Garda e Republikës kërkon që të rrëzohet kërkesa, duke iu referuar precedentit të 2001-shit në Genova, kur një protestues u vra nga Karabinieria gjatë takimit të G8-s.
“Momenti i parë që del nga ky gjykim është ai, që familjarët e viktimës i adresohen shtetit italian për pagimin e dëmeve, dhe jo Karabinierisë apo Policisë së Shtetit italian”.
Garda argumenton më tej duke iu referuar edhe dosjes “Gërdeci”, pasi sipas këtij institucioni, nga praktika e deritanishme është operuar me vendime të Këshillit të Ministrave për dhënie ndihme. “Ky kërkim është i pabazuar, – e mbyll qëndrimin e saj Garda, – dhe në rast se gjykata e pranon padinë, vendimi nuk mund të ekzekutohet, pasi Garda dhe Ministria e Brendshme e kanë miratuar buxhetin për 2016-n dhe ai nuk mund të ndryshojë”.
(ma.ar/BalkanWeb)
