Nga: MIRA BREGU, OKB, Gjeneve
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut Zeid Rad Al Hussein deklaroi sot se raportet e fundit të vrasjes se civile dhe plagosjeve të shumta, duke përfshirë bombardimet e shesheve siriane dhe objekteve mjekësore, nxori në pah një “mosvlerësim monstruoz për jetën e civilëve nga të gjitha palët në konflikt” dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të bëjnë një hap prapa nga aktet e luftës. “Raportimet qe vijnë nga Aleppo, Homsi, Damasku, Idlebi dhe Deir ez-Zour tregon për shumë viktima në civilë” tha Komisioneri i Lartë Zeid.
“Në Idleb javën e kaluar, më 19 prill, një bombë ra në një treg perimesh në Maarat el-Nu’man, zonë kjo e mbipopulluar në qytet, duke vrarë të paktën 44 persona dhe duke shkatërruar dhjetëra dyqaneve . Në qytetin e Kafr Nabel, bombat u hodhën përsëri në një treg në zonën më të populluar të qytetit, duke rrezikuar një shkollë ku mësojnë 50 fëmijë të moshës 6 deri në 10 vjeç.
“Në pjesën e kontrolluar nga opozita në Aleppo gjatë ditëve të fundit, avionët pro qeveritar shkatërruan një spital të rëndësishëm dhe objekte të tjera mjekësore duke vrarë një numër të personelit mjekësor, duke shkatërruar te vetmen pediatri të mbetur në këtë zonë. Në pjesën e kontrolluar nga qeveria në Aleppo, një tjetër spital u godit dhe për pasojë shumë civilë mbeten të vrarë. Me pak fjalë, dhuna është në rritje përsëri në nivelin përpara arritjes së marrëveshjes për ndërprerjen e armiqësive. Ka raporte thellësisht shqetësuese për një përshkallëzim vdekjeprurës të situatës,” deklaroi komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara.
Komisioneri i Lartë i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për të trajtuar vuajtjet e tmerrshme të popullit sirian me vendosmëri. “Pushimi i armiqësive dhe bisedimet e Gjenevës ishin e vetmja zgjidhje dhe në qoftë se ato braktisen tani, kam frikë se do të shohim më shumë tmerre në Siri,” tha ai.
(BalkanWeb)
