LONDER-Replikat mes Sekretarit britanik të Drejtësisë, Michael Gove dhe kryeministrit Edi Rama duket se po vazhdon edhe më tej.
Në një shkrim të publikuar tek ‘Daily Mail’ me titull “Mendoni keq tani për BE-në? Prisni derisa t’i bashkohet Shqipëria”, zyrtari britanik tregon arsyet se çfarë ndodh nëse Shqipëria i bashkohet BE-së.
“Zgjerimi i BE-së do të hapë kufinjtë tanë për 88 milionë njerëz nga vendet më të varfra të Evropës. Opsioni shqiptar! Kjo tingëllon si një roman i John le Carré. Ju imagjinoni një histori me intriga politike, shuma të mëdha parash që kanë humbur rrugën dhe që kanë të bëjnë me kriminalitet të dyfishtë. Për opsionin shqiptar nuk është se do lexoni një roman me fantazi, por është një fakt diplomatik. Shqipëria është në rrugën për të hyrë në Bashkimin Evropian, së bashku me katër vende të tjera, Maqedoni, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia”, shkruan Michael Gove.
“Grupi tashmë prej 28 vendesh do të jetë i përbërë me 33 vende dhe kjo gjë nuk do të jetë gjë tjetër veçse një turmë. Dhe Britania nuk është vetëm duke mbështetur këtë lëvizje. Ne jemi duke paguar për të. Çdo javë ne kemi dërguar në 350 milionë euro në BE. Dhe tani miliona nga taksat tuaja të fituara me vështirësi janë duke u drejtuar këtyre pesë vendeve anëtare të ardhshëm. Në vitin 2020 Mbretëria e Bashkuar do të paguajë gati 2 miliardë euro për të ndihmuar këto vende të përgatiten për anëtarësim në BE. Kjo bujari do të jetë dhuratë jonë më e madhe në Shqipëri”, vazhdon më tej argumentet Sekretari britanik i Drejtësisë.
Një tjetër problem per te cilin ankohet zyrtari britanik në shkrimin e vetë është dhe emigrimi i shqiptarëve drejt Britanisë, gjithmonë pas futjes së vendit tonë në BE.
“Mendoni se BE është keq tani? Prisni derisa t’i bashkohet dhe Shqipëria”
NGA MICHAIL GOVE*
Mendoni se BE është keq tani? Prisni derisa t’i bashkohet Shqipëria: Me një logjikë therëse dhe elokuencë të apasionuar, Michael Gove paralajmëron se zgjerimi i BE-së do të hapë kufinjtë e tyre për 88 milion njerëz nga vendet më të varfra të Europës.
Opsioni Shqiptar. Duket si një nga romanet e John le Carré. Imagjinoni një histori me intriga politike, shuma të mëdha parash që zhduken, kriminalitet dhe marrëveshje të dyfishta.
Por Opsioni Shqiptar nuk është një roman triller që lexohet për pushime- është një fakt diplomatik.
Shqipëria është vend kandidat për t’u bërë pjesë e BE-së, bashkë me katër vende të tjera, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë. Dhe Britania jo vetëm po e mbështet këtë lëvizje, ne po paguajmë për të.
Çdo javë ne i dërgojmë £350 milionë BE-së. Dhe tani miliona nga taksat e fituara me mundim të shtetasve britanikë po drejtohen drejt këtyre pesë shteteve anëtare për në BE.
Nga 2016 deri në 2020 Mbretëria e Bashkuar do të paguajë pothuajse £2 miliardë për të ndihmuar këto vende të përgatiten për anëtarësimin në BE. Kjo do jetë dhurata jonë më e madhe për Shqipërinë që në kohën kur talenti komik i të ndjerit Sir Norman Wisdom, ndriçoi ditët e errëta të diktaturës Staliniste.
Në të vërtetë pyes veten nëse shqiptarët tashmë janë të bindur që Ministria e Jashtme e Britanisë është e mbushur plot me personazhe si Norman Wisdom, tipa të këndshëm dhe të dashur, zemërgjërësia dhe mirësia e të cilëve i bën që të pranojnë të gjitha llojet e këshillave të këqija.
Si mund ta shpjegojnë ndryshe fatin e tyre të madh që janë në anën e atyre në Ballkan që do marrin £2 miliardë?
Shumë britanikë mund të pyesin se përse këto miliarda paund nuk po i dërgohen shkollave dhe spitaleve në Mbretërinë e Bashkuar por po i dërgohen Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Por ajo që bën këtë shpenzim shumë të vështirë për ta justifikuar është fakti që ne nuk po paguajmë për të ndihmuar shqiptarët dhe malazezët në vendin e tyre. Ne aktualisht po paguajmë që t’u japim atyre akses të plotë ndaj shërbimeve publike të Mbretërisë së Bashkuar.
Kur Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia të bëhen pjesë e BE-së, 88 milion njerëz të tjerë shumë shpejt do kenë të drejtën të regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat tona dhe të regjistrohen në shërbimin shëndetësor NHS. Sa shtëpi të tjera do duhen? Çfarë ndikimi do ketë mbi rrogat?
A do mund t’i mbajmë vendet e punës në të ardhmen dhe të sigurohemi që populli të ketë një standart jetese për të qënë kur 88 milion njerëz nga vende më të varfra se vendi ynë do kenë të drejtën të jetojnë dhe të punojnë këtu?
Madje edhe për personat e punësuar në Shqipëri, të ardhurat mesatare janë shumë më të ulëta në krahasim me të ardhurat e të punësuarve ketu.
Është e natyrshme që ata të duan të vijnë këtu sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ministrja e Brendshme Britanike Theresa May gjithashtu mbajti një fjalim të rëndësishëm për të ardhmen e Europës këtë javë duke shprehur shqetësimin se: “Vendet që po negociojnë për t’u bërë pjesë e BE-së përfshijnë Shqipërinë, Serbinë dhe Turqinë – vende me varfëri të madhe dhe probleme serioze me krimin e organizuar, korrupsionin dhe për më shumë edhe me terrorizmin. Duhet të pyesim nëse është vërtet e drejtë që BE duhet thjesht të vazhdojë të zgjerohet duke u dhënë anëtarëve të rinj të njëjtat të drejta me themeluesit e unionit?”
Shqetësimet e Ministres së Brendshme janë me vend. Si Ministër i Drejtësisë, jam i vetëdijshëm se ka rreth 10,000 kriminelë që janë shtetas të huaj në burgjet tona- dhe 1 në 20 prej tyre është shqiptar.
Nga të gjithë të burgosurit në burgjet tona që vijnë nga shtete Europiane, 10 për qind vijnë nga Shqipëria. Këta të burgosur aktualisht i kushtojnë taksapaguesve britanikë pothuajse £18 milion në vit për t’i mbajtur në burg. Dhe kjo përpara se qytetarët shqiptarë të kenë të drejtën për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar! Që në fillim të këtij viti, 20 gangsterë nga Shqipëria u dënuan për trafik droge në Manchester. Ata janë kriminelë të rrezikshëm të cilët erdhën këtu me dokumenta false Italiane dhe Greke.
Duhet të ketë një mënyrë më të mirë për Britaninë për të mbrojtur interesat tona jetike.
Unë e mbështes emigrimin e kontrolluar – besoj se Britania forcohet nga njerëz të rinj, ide dhe kultura të reja. Por të lejosh miliona njerëz të vijnë këtu nga Ballkani dhe Turqia është e tepërt.
Por Mbretëria e Bashkuar mund të luajë një rol pozitiv për të ndihmuar në forcimin e ekonomive dhe institucioneve të shteteve si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia pa ju dhënë atyre miliona paund çdo vit nga kontributet tona për BE-në.
E vërteta është se ne nuk mund të mbështetemi në Bashkimin Europian që të veprojë në interesin tonë. Vendet e BE-së dhe elita e Brukselit nuk janë të interesuar në reformimin e Europes. Ata janë të vendosur të thellojnë dhe të zgjerojnë bashkimin e tyre politik.
E vetmja mënyrë e sigurtë që të parandalojmë një qeveri të ardhshme britanike të jetë dakord me Opsionin Shqiptar dhe të ndalojmë kufinjtë tanë të ulen më poshtë për të lejuar miliona njerëz të tjerë të pranohen këtu është të marrim përsëri kontrollin dhe të dalim nga Bashkimi Europian.
Nëse votojmë për të dalë nga BE më 23 qershor, ne mund të rimarrim kontrollin për paratë që i japim Brukselit dhe për çdokënd që vjen në vendin tonë. Dhe vetëm atëhere mund t’i shpenzojmë 350 milionë paundët që i japim çdo javë BE-së për të përmirësuar shërbimet publike, sidomos NHS-në.
Dalja nga BE-ja do na jepte mundësinë të shpenzojmë më shumë për shëndetësinë dhe edukimin, dhe të mbrojmë më mirë njerëzit e pafuqishëm në shoqërinë tonë.
Ky është Opsioni Britanik në fletën e votimit në këtë referendum, dhe rruga që unë shpresoj se kombi ynë i mrekullueshëm do të zgjedhë.
Shqiperoi Aleksandra Kola*
(d.b/BalkanWeb)
