SHKODER – Katër grabitës janë pikasur teksa po vidhnin banesën e biznesmenit të njohur në Shkodër, Sabah Rrëshketa, por kanë arritur të largohen sapo kanë parë agjentët e policisë.
Mësohet se banesa ndodhet në katin e katërt të një pallati, në lagjen “Partizani”, ku grabitësit kanë mundur të hapnin derën e blinduar duke u futur brenda. Sapo kanë parë policinë, grabitësit dyshohet se kanë kërcyer nga dritarja e katit të katërt, në tarracën e një shtesë në katin e dytë dhe më pas janë larguar.
Gazetari Mirsad Rakaj bën të ditur nga vendi i ngjarjes se Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe policia rrethuan të gjithë zonën, ndërsa fillimisht u dyshua se grabitësit ishin izoluar brenda banesës. Por pasi policia shpërtheu derën e apartamentit, konstatoi se në banesë nuk ndodhej askush, ndërsa u gjet e hapur një dritare, prej ku dyshohet se janë larguar grabitësit.

Fatmirësisht në momentin e ngjarjes në banesë nuk ndodhej asnjë nga familjarët e biznesmenit.
Ndërkohë pak metra larg banesës, policia ka ndaluar një 20-vjeçar, i cili dyshohet si bashkëpunëtor i 4 grabitësve, ndërsa është vënë në ndjekje të personave të armatosur që u panë në banesën e biznesmenit.
(er.nu/BalkanWeb)
