TIRANE – Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë mbrëmjen e sotme vendimin ndaj 9 të akuzuarve për rekrutim dhe dërgim të besimtarëve myslimanë shqiptarë për xhihad luftarak në Siri. Gjykata ka vendosur dënimin me 126 vite burg në total për 9 të akuzuarit.

Konkretisht, Gjykata ka vendosur 17 vjet burg për Genci Abdurrahim Balla, i vetëshpallur imam i xhamisë së Unazës së Re, 17 vjet burg për Gert Pashja, dhe 18 vjet heqje lirie për Bujar Hysan, edhe ky i vetëshpallur imam i xhamisë së Mëzezit.

Verdi Morava është dënuar me 13 vjet heqje lirie, Zeqir Imeri me 16 vjet burg, Orion Reci me 13 vjet burg, Fadil Myslimani me 12 vjet burg, Astrit Tola me 7 vjet burg dhe Edmond Balla me 13 vjet burg.

Avokati i të akuzuarit Orion Reci e cilësoi vendimin e gjykatës një turp për Shqipërinë.
“Mendoj që është një vendim turpi për Republikën e Shqipërisë dhe nuk është vendim gjyqësor. Eshtë një vendim kundër ndërgjegjes, kundër një besimi, kundër asaj që njerëzit ndjejnë. Ankimin do ta bëjmë ditën, jo natën siç u dha vendimi”- deklaroi avokati.

Gjatë kohës që gjykatësi lexonte vendimin, të pandehurit kanë përmendur terma në gjuhën e Kuranit dhe brenda sallës së gjyqit i janë drejtuar trupit gjykues me fjalët: “Shumë shpejt ju keni për ta marrë dënimin”.

Ndërkohë, mbështetësit e të dënuarve kanë kërcënuar jashtë gjykatës edhe gazetarët dhe kameramanët që të mos filmonin. Është dashur ndërhyrja e forcave “Shqiponja” që të normalizojnë situatën.

BABAI I VERDI MORAVËS: VENDIMI I TURPSHËM, DREJTËSIA S’EKZISTON
Dielli Morava, i ati i të akuzuarit Verdi Morva, i cili u dënua m 13 vite burg e cilësoi vendim e gjykatës të turpshëm. Në një prononcim për “News 24”, Morava pohoi se ky shtet vërtetoi se drejtësia nuk ekziston. Ai pohoi ndër të tjera se nëse gjykatat shqiptare nuk e shpall djalin e tij të pafajshëm, ai do të dërgoj rastin në Gjykatën e Strasburgut.

“Vendim shumë i turpshëm. Ky vendim më nguliti në mendje se ky vend, me këtë drejtësi. Nuk mund të ecë përpara. Ne me këto gjykata nuk mund të hyjmë në BE. Një vend që nuk ka drejtësi, nuk mund të ketë zhvillim. Një vendim, për 9 veta, të merret brenda 1 ore, vendimi është i paracaktuar. Unë fitoren nëse gjykata nuk do ma japë, do e marr në Strasburg. Nuk mbroj djalin tim për një fajësi, por të dënosh një të pafajshëm me 12 vite kjo është e turpshme. Nuk e prisja këtë vendim, por prisja që ata të dilnin në pafajësi. Unë këtë vendim e refuzoj, madje dhe e neverisë.”, pohoi Morava.

PRETENCA E PROKURORISE
Prokurorja e çështjes, Elisabeta Ymeraj kërkoi dënimin me 152 vite burg në total për 9 të pandehurit. Organi i akuzës kërkoi nga 20 vjet burg për Genci Abdurrahim Ballan, Gerti Pashjan dhe Bujar Hysan. Sipas prokurorisë, këta të pandehur janë organizatorë të rrjetit të rekrutimit të luftëtarëve shqiptarë, të cilët në vendin e shkatërruar nga lufta, u janë bashkuar dhe luftojnë për llogari të organizatave terroriste si “Al-Nusra”.

Për të pandehurin Zeqir Ymeri, prokuroria kërkoi dënimin me 17 vite burg. Ndërsa, për Edmond Balla, Verdi Morava, Fadil Muslimani, Astrit Tola dhe Orion Reçi prokuroria kërkoi 15 vite burg. Sipas prokurorisë, këta të pandehur kanë luajtur rolin e financuesit apo ndihmësit në grup.

ROLET E TË PANDEHURVE
Sipas prokurorisë, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin por edhe me persona të tjerë, duke shfrytëzuar bindjet fetare ekstreme të personave të ndryshëm, kanë mundur të rekrutojnë disa prej tyre dhe t’i dërgojnë në Siri, me qëllim që këta të fundit të marrin pjesë në grupime të cilat janë shpallur nga lista e OKB-së si grupime terroriste.

Për ta realizuar një gjë të tillë, të pandehurit kanë shfrytëzuar bindjet fetare të personave, dhe konkretisht kanë shfrytëzuar besimin fetar mysliman. Në dosjen e prokurorisë thuhet se, i pandehuri Genci Balla ushtronte veprimtarinë si imam në xhaminë e ndodhur tek Unaza e Re në Tiranë, ndërsa i pandehuri Bujar Hysa e ushtronte veprimtarinë e tij në xhaminë e ndodhur në Mëzez, Tiranë. As Balla dhe as Hysa, si dhe xhamitë ku ata ushtronin veprimtarinë e tyre si imamë, nuk ishin të miratuar në mënyrë të rregullt si të tillë nga Komuniteti Mysliman Shqiptar. Gjatë predikimeve të mbajtura, i pandehuri Genci Balla tejçonte te personat e pranishëm, sidomos në faljet e ditës së premte, bindje dhe ide të cilat iu mbushnin mendjen personave që lufta që bëhej në Siri ishte një kauzë e drejtë, bëhej në emër të Allahut dhe secili mysliman i devotshëm e ka për detyrë të ndihmojë në këtë luftë.

Po të njëjtën mënyrë ka përdorur edhe i pandehuri Bujar Hysa, me predikimet e bëra prej tij, në xhaminë e Mëzezit apo edhe në xhami të tjera. Prokuroria thekson, se Genci Balla ishte organizatori i veprimtarisë kriminale. Ai përfaqëson një ndër teologët më radikalë, që propagandon Islamin e dhunshëm, nxit urrejtjen ndaj besimtarëve dhe besimeve të tjera, nxit frymën e përçarjes brenda komunitetit mysliman si dhe është një nga frymëzuesit dhe organizatorët kryesorë në rekrutimin, organizimin dhe dërgimin e besimtarëve myslimanë shqiptarë për xhihad luftarak në Siri.

Ky i pandehur, prej disa vitesh ushtron aktivitet fetar ilegal, të palegalizuar/ligjëruar nga institucioni fetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar. I pandehuri Bujar Hysa është ndjekës i ideologjisë radikale tekfiriste të Genci Ballës. Konkretisht, ky shtetas implikohet në veprimtarinë kriminale, nga hetimet që janë zhvilluar ndaj tij prej datës 20.12.2013 e në vazhdim.
(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb