Gjykata e Posaçme dënoi me 25 vite burgim Klevis Allën për vrasjen e dy vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia në Durrës në 2020. Ai u cilësua fajtor edhe për përfshirje në ekzekutimin e dy miqve, Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia, dy muaj përpara vëllezërve.
Pas arrestimit Klevis Alla mori statusin e të penduarit, por SPAK e prishi marrëveshjen me të, pasi zbuloi se nuk kishte treguar të gjithë të vërtetën. I pandehuri tjetër Altin Ndoci, u shpall i pafajshëm, pasi rezultoi se nuk kishte lidhje me krimin e rëndë.
Më herët, Prokuroria e Posaçme i ka tërhequr akuzën për këtë të pandehur. Enver Diva e Besian Xhixha u dënuan me 11 vite burg në total, për krijim të kushteve për të kryer vrasje.
Klevis Alla ishte i pari që rrëfye për hetuesit për dy krimet që tronditën Durrësin, por ai atëkohë implikoi Talo Çelën dhe Altin Ndocin. Në një dëshmi të dytë, foli edhe për përfshirjen e Nuredin DUmanit, e mbi bazën e dëshmisë së tij u nxorr masa e parë e sigurisë për të penduarin e drejtësisë.
Pas arrestimit, Nuredin Dumani vendosi të rrëfejë krimet e kryera mes të tjerash edhe vrasjen e dy vëllezërve dhe dy miqve në Shënavlash të Durrësit. Dumani akuzoi si organizator Erjon Alibej. Sipas të penduarit, Alibej i cili mori frerët e grupit criminal pas masakrës së Bradasheshit, ku iu ekzekutua vëllai, xhaxhai dhe një shtetas turk, bëri një listë me emrat e personave që dyshonte se kishin marrë pjesë në ekzektimin e trefishtë dhe nisi ekzekutimin e tyre.
I penduari i drejtësisë tha se në vrasjen e vëllezërve Haxhia, kishin marrë pjesë ai, Erjon Alibej dhe Henrik Hoxha, gjurma e gjakut të të cilit u gjet në automjetin e krimit, ndërsa Klevis Alla kishte qenë në rolin e shoferit.
Në vrasjen e dy miqve Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia, Alla sipas Dumanit kishte patur rolin e informatorit, ndërsa implikon edhe Elio Bitrin si pjesëtar të grupit. Edhe në këtë rast, Alibej ka patur rolin e organizatorit dhe urdhëruesit për motive hakmarrje. Si Dumani ashtu dhe Henrik Hoxhaj përjashtuan pjesëmarrjen në këto krime të Talo Celës dhe Altin Ndocit. Dumani, Hoxha alibaj dhe Bitri janë marrë të pandehur për këto vrasje e krime të tjera të rënda dhe po gjykohen në një proces të ndarë.
