TIRANE – Qeveria ka vendosur të ndryshojë ligjin për dietat e punonjësve të administratës shtetërore. Në bazë të vendimit të ri, punonjësit që do të jenë të detyruar të shkojnë për shërbim gjatë ditëve zyrtare të punës, brenda vendit do të trajtohen financiarisht vetëm për transportin, duke mos përfituar dieta të tjera për një distancë më pak se 50 km larg vendit të punës.
Ndryshimet, megjithatë nuk prekin punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës së Shqipërisë, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), të Shërbimit Informativ Shtetëror, të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të njësisë mamografike të lëvizshme, pranë Institutit të Shëndetit Publik, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Sipas vendimit, trajtimi financiar i punonjësve për përballimin e shpenzimeve të shërbimit bëhet i diferencuar, sipas distancës së shërbimit nga qendra e punës.
Kështu, për shërbime në një largësi deri në 50 km jashtë qendrës së punës, trajtimi financiar i punonjësit përfshin vetëm shpenzimet e transportit, në rastin kur transporti nuk realizohet nga vetë institucioni. Nga ky rregull përjashtohen punonjësit e institucioneve të mësipërme.
Për largësitë mbi 50 km, kur punonjësi kthehet brenda ditës, trajtimi financiar i tij përfshin dietën ditore, në masën 500 (pesëqind) lekë në ditë, si dhe shpenzimet e transportit, në rastin kur transporti nuk realizohet nga vetë institucioni. Përjashtohen nga ky rregull punonjësit që dërgohen për shërbime në një largësi mbi 50 km, jashtë qendrës së punës, dhe që zgjatin mbi tri ditë pune, në bazë të programit të miratuar nga titullari apo zyrtari përgjegjës që autorizon shërbimin, sipas legjislacionit të posaçëm në fuqi.
Për shërbime në një largësi mbi 100 km, jashtë qendrës së punës, trajtimi financiar i punonjësit përfshin:
a) dietën ditore, e cila, për çdo punonjës të dërguar me shërbim, llogaritet në masën;
1 000 (një mijë) lekë në ditë, kur punonjësi kthehet brenda ditës;
10 për qind të pagës mujore, por jo më shumë se 2 500 (dy mijë e
pesëqind) lekë në ditë, kur shërbimi zgjat më shumë se një ditë.
Për efekt të llogaritjes së dietës, në këtë rast, data e nisjes dhe ajo e kthimit llogariten një ditë e plotë.
b) shpenzimet e fjetjes, kundrejt dokumentit tatimor përkatës, të paraqitur nga hoteli dhe të shoqëruar me faturën e printuar nga kasa elektronike fiskale, por jo më shumë se 3 000 (tre mijë) lekë për çdo natë;
c) shpenzimet e transportit, në rastin kur transporti nuk realizohet nga vetë institucioni.
Në çdo rast, kur transporti nuk realizohet nga vetë institucioni, shpenzimet e transportit do të njihen kundrejt dokumentit tatimor përkatës, por jo më shumë se tarifa përkatëse, sipas distancës kilometrike të linjës, e miratuar në vendimin nr.146, datë 26.2.1998, të Këshillit të Ministrave, “Për tarifat e transportit të udhëtarëve”, të ndryshuar.”.
Po ashtu qeveria vendosi krijimin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, me seli në Shkodër, si person juridik, publik, buxhetor, në varësi të Ministrisë së Kulturës. Sipas vendimit Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ushtron veprimtarinë e tij si institucion i specializuar muzeor, arkivor në fushën e fotografisë.
Qeveria vendosi edhe përcaktimin e autoritetit përgjegjës për hartimin e modeleve.
Po ashtu qeveria vendosi shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga zbatimi i projektit “Rindërtimi i banesës ku u ngrit flamuri në Korçë”.
Gjithashtu qeveria vendosi shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit, “Tregu industrial ushqimor – markata”, Berat.
Qeveria vendosi edhe shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit, “Rikonstruksion dhe shtesë të teatrit ‘Andon Zako Çajupi’, Korçë ”.
Qeveria vendosi edhe shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i Rrugës Transballkanike Vlorë, faza II”.
Qeveria vendosi edhe për një shtesë fondi prej 3 000 000 (tre milionë) lekësh për kryerjen e konkursit rajonal për zhvillimin hapësinor të zonave “Shtigjet e lirisë” dhe “Korridori i gjelbër”.
Qeveria mori vendim edhe për organizimin dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit.
Qeveria vendosi edhe miratimin e kufijve territorialë e hidrografikë të baseneve ujore në Republikën e Shqipërisë dhe qendrën e përbërjen e Këshillit të secilit prej tyre.
Sipas vendimit, Territori i Republikës së Shqipërisë, në funksion të administrimit të burimeve ujore, ndahet në gjashtë basene ujore, me qendrat përkatëse:
a) Baseni ujor Drin-Bunë, me qendër në Shkodër;
b) Baseni ujor Mat, me qendër në Lezhë;
c) Baseni ujor Ishëm-Erzen, me qendër në Tiranë;
ç) Baseni ujor Shkumbin, me qendër në Elbasan;
d) Baseni ujor Seman, me qendër në Fier;
dh) Baseni ujor Vjosë, me qendër në Vlorë.
Qeveria vendosi edhe transferimin e plotë të aksioneve të shoqërive shtetërore të tregjeve të shitjes me shumicë dhe pakicë të fruta-perimeve në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore.
(er.nu/BalkanWeb)
