Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Pavarësisht se vlefshmëria e librezës shëndetësore ka përfunduar në datën 30 prill, pajisja me kartën e shëndetit mund të bëhet në çdo moment nëpër sportelet e qendrave shëndetësore apo përmes aplikimit online”. Sqarimi vjen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, pas radhëve të krijuara si pasojë e nxjerrjes nga qarkullimi të librezës, e cila ishte e vlefshme për të marrë shërbimet shëndetësore. Sipas FSDKSH-së, “më 30 prill përfundonte vetëm afati i përdorimit të librezave të shëndetit, kështu që askush nuk duhet të shqetësohet se mund të mos pajiset me kartën”. Po ashtu, Fondi thekson se “të gjithë qytetarët që nuk e kanë të domosdoshme pajisjen me kartë shëndeti të mos paraqiten në sportele gjatë këtyre ditëve sepse mund ta marrin këtë dokument në çdo moment që atyre do t’ju nevojitet”.

Procedura
Për t’u pajisur me kartën e shëndetit ka 2 mënyra: Duke u paraqitur personalisht pranë sporteleve në qendrat shëndetësore ose përmes aplikimit online, në portalin qeveritar e-albania. Rreth 2 muaj më parë FSDKSH lehtësoi procedurat, duke reduktuar numrin e dokumenteve që ishin në domosdoshme për t’u paraqitur në sportel. Kështu, çdokush që zgjedh qendrat shëndetësore për ta gjeneruar, nuk ka më nevojë të dorëzojë dokumentet që vërtetojnë gjendjen e tij (i punësuar, i papunë, pensionist, i sëmurë kronik, etj.) Kjo pasi, vetë sistemi i mundëson operatorit, që të bëjë verifikimin online të të dhënave sepse është i lidhur me zyrat përkatëse. Për shembull për një të papunë, vetë operatori bën verifikimin pranë Shërbimit Kombëtar të Punësimit, nëse personi është i regjistruar apo jo, pa qenë e nevojshme që të dorëzohet vërtetimi i papunësisë. Nëse pajiseni për herë të parë me kartën e shëndetit është e nevojshme të shkoni pranë mjekut të familjes për të bërë regjistrimin, i cili ju pajis me një dokument për ta paraqitur në sportel, të cilët punojnë deri në orën 20:00. Ndërsa, për të marrë shërbimin është e domosdoshme vetëm karta e identitetit. Ndërkohë që, për ta rinovuar ju mund të paraqiteni sërish pranë qendrave shëndetësore, por mund të zgjidhni edhe procedurën online, nga një kompjuter i lidhur me internetin. Ndërkaq, FSDKSH thekson se për të përdorur procedurën online është e domosdoshme, që vetëm herën e parë të pajiseni pranë qendrave shëndetësore.

Pajisja online
Për t’u pajisur online me kartë shëndeti, fillimisht ju duhet të klikoni në portalin qeveritar www.e-albania.al. Pasi të hyni në faqen kryesore duhet të klikoni te kategoria “e-shërbime”, e cila ju liston të gjitha shërbimet shtetërore, që aktualisht merren online, ndërsa ju duhet të zgjidhni ‘Gjenerimi i kartës së shëndetit” e të klikoni mbi butonin ‘hyr’. Në këtë moment duhet të bëni regjistrimin në portal, duke plotësuar të dhënat tuaja personale si: Emri, mbiemri, atësia, ditëlindja, si dhe kodin e përdoruesit që korrespondon me numrin personal, që ndodhet në kartën tuaj të identitetit. Po ashtu, ju kërkohet një fjalëkalim, që ju e përzgjidhni vetë, adresa juaj e-mail si dhe numri i celularit, në të cilin sapo të klikoni butonin ‘regjistrohu’ do iu dërgohet një kod 4-shifror. Menjëherë pas kësaj, portali ju kërkon vendosjen e këtij kodi, i cili iu lejon vazhdimin e procedurës. Në këtë moment në ekran shfaqet butoni ‘përdor’, pas klikimit të të cilit shfaqet varianti online i kartës tuaj të shëndetit, i cili mund të printohet menjëherë në raste se kartës tuaj aktuale i ka mbaruar afati. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor bën me dije se karta e printuar ka të njëjtën vlerë më atë të emetuar në sportelet e qendrave shëndetësore. I nisur si projekt që prej dhjetorit të vitit 2014, shpërndarja e Kartës së Shëndetit gjeti zbatim plotësisht gjatë vitit të shkuar, ndërkohë që deri më tani janë shpërndarë 1 445 520 karta. Vetëm gjatë vitit 2016 janë emetuar 753 094 të tilla, ndërkohë që falë aplikimit në portalin www.e-albania.al janë lëshuar online 9 172 karta shëndeti. Sipas FSDKSH-së, aktualisht janë aktive 1 031 222 dokumente, që janë të vlefshëm për të marrë shërbimet në institucionet shëndetësore publike.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb