Ndihmës Sekretari i Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit amerikan të Shtetit, James O’Brien, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nga i cili ka kërkuar përparim urgjent në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndihmës Sekretari amerikan, përmes një postimi në platformën “X” ka bërë të ditur se me kryeministrin Kurti ka biseduar për hapat pozitivë të nevojshëm që duhet t’i ndërmerr Kosova.

“SHBA mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të ecur përpara, ne kemi nevojë për zbatimin e zotimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, duke përfshirë përparimin urgjent në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Me kryeministrin e Kosovës Kurti sot kam diskutuar hapat pozitivë të nevojshëm”, ka shkruar O’Brien, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, të martën, ka nënvizuar rëndësinë që Franca i kushton aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si dhe progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha po ashtu se Kosova duhet të bëjë hapa të prekshëm, që nënkuptojnë “dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim”, në mënyrë që t’i bindë qeveritë skeptike që të votojnë në favor të saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Themelimi i Asociacionit ka qenë vazhdimisht kërkesë edhe e vendeve të tjera të grupit QUINT, që, pos Francës e Gjermanisë, përfshijnë edhe SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb