Familjarë të disa të dënuarve që vuajnë dënimin në burgun e Fushë Krujë, janë mbledhur përpara burgut pasi kanë që ditën e djeshme që presin familjaret e tyre, të cilët përfitojnë nga amnistia por nuk janë liruar deri në këto momente. Sipas familjareve shkak është bërë vonesa e zbardhjes se vendimit nga gjykata dhe ekzekutimi nga prokurorët, ndërkohë që dënimet në forme të prerë nga Apeli janë marrë shumë muaj përpara.

“Të afërmit tanë janë të dënuar me formë të prerë që më datë 7.02.2023, ndërkohë që amnistia thotë se njihet deri më datë 31 mars. Gjatë gjithë këtyre muajve, nuk është bërë zbardhja e vendimit. Amnistia është bërë dje dhe sot ka ardhur vendimi i zbardhur në burg. Burgu nuk na liron të afërmit. Ose amnistia është bërë selektive ose ministri të na japë zgjidhje. Ose po i mbajnë peng ose ka një problematikë tjetër. Drejtuesit e burgut na thanë duhet të presim edhe nesër ose t’i drejtohemi gjykatës. Lënia pas dore e zbardhjes së vendimit që na pengon lirimin e të afërmve tanë”, tha një qytetar.

“Në çdo vend të botës, aministia është 3 ditë. Djali ka edhe 10 muaj. Ka përfituar nga amnistia. Ka ardhur sot vendimi, por ka s’kaduar afati i amnistisë”, tha një qytetar.

Nga ana e drejtuesve të IEVP Fushë Krujë familjarëve i është thënë që duhet të presin një përgjigje tjetër nga prokuroria ose t’i drejtohen gjykatave pasi afati i amnistisë ka përfunduar ditën e djeshme. Ata i kërkojnë ministrit të Drejtësisë dhe institucioneve përkatëse të marrin masa për këtë ngerc burokratik i cili po mban padrejtësisht familjaret e tyre ne burg.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb