4 gola për një pikë, Napoli dhe Roma dhuruan një 90-minutësh shumë të bukur, mbi të gjitha pjesa e dytë ishte “zjarr”. Në minutën e 59-të, Paulo Dybala nga pika e bardhë e penalltisë u tregua i saktë duke kaluar verdhekuqtë në avantazh. Në të 65-të, Olivera ishte me fat, teksa goditja e tij gjeti një devijim të lehtë duke përfunduar në rrjetë. Napoli nuk u mjaftua me kaq, por në minutën e 84 ishte Osimhen, me nigerianin që nga 11 metra distancë, kaloi Napolin në avantazh. Asgjë nuk përfundoi këtu pasi 5 minuta më vonë, Abraham me kokë sigloi rezultatin final në 2-2.

Një fitore shumë të rëndësishme për objektivin Champions siguroi edhe Atalanta. Ekipi i Berat Gjimshitit mposhti pastër 2-0 Empolin. Pasalic në minutën e 42-të dhe Lookman në të 51 realizuan për bergamaskët.

Pas Inter, Milan është ekipi i dytë që siguroi matematikisht një biletë për në Champions League sezonin e ardhshëm. Nga Juventusi i vendit të tretë deri te Lazio e vendit të 7-të, 5 ekipe janë në garë për tre vende të tjera në Champions. Me 65 pikë, Juve qëndron më e qetë, por fati i tyre luhet shumë në ndeshjet e radhës ku do të përballen me Roma dhe Bologna-n.

Shumë pranë një objektivi historik është edhe ekipi i Thiago Motta-s, Me 63 pikë renditen në vendin e 4, këtë javë presin Juven në Dall’Ara, ndërsa tre sfidat e fundit i luajnë në transfertë.

Juve dhe Bologna ndodhen në pozita të shëndosha, ndërsa Roma, Atalanta dhe Lazio, do të luftojnë deri në fund për të siguruar vendin e 5-të.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb