*Kyçe duket se është konsideruar dëshmia e dhënë nga shoku i tij i ngushtë me të cilin ka qenë duke folur në telefon në momentin e vrasjes.
DURRES – Detaje të reja kanë dalë nga grupi hetimor, 24 orë pas vrasjes me 15 plumba të durrsakut Tim Shala. Policia duket se pervec pistës se vrasjes për shkak të gërvishtjes së makinës, konflikt i cili ishte shënuar katër ditë para vrasjes, është përqendruar në një pistë të re, atë të ndonjë borxhi të pashlyer, nga 39-vjeçari durrsak, i cili në momentin e vrasjes ishte duke folur me mesazhe me një shokun e tij të fëmijërisë, raporton gazetarja Klodiana Haxhiaj.
34 persona ka mbërritur numri i të pyeturve për vrasjen e Shalës, por deri tani nuk ka asnjë person të dyshuar si autor të krimit. Në polici miqtë e tij, të afërmit, shokët, kanë pohuar se 39-vjeçari nuk njihej si person konfliktual, dhe shpeshherë kishte tentuar të punonte duke marrë me qira ambiente të ndryshme për aktivitet. Por kyçe duket se është konsideruar dëshmia e dhënë nga shoku i tij i ngushtë me të cilin ka qenë duke folur në telefon në momentin e vrasjes. Sipas burimeve, Tim Shala ka qenë duke folur në celular me mesazhe, dhe dy miqtë kishin lënë takim në mbrëmje për të pirë kafe e për të bërë ndonjë lojë poker”. Kjo e dhënë duket se e ka çuar grupin hetimor në një pistë tjetër, atë të vrasjes për ndonjë borxh.
Mësohet se prej pak kohësh 39-vjecari së bashku me miqtë e tij mblidheshin në një lokal kazino gjatë mbrëmjeve, në zonën e plazhit në Durrës, dhe luanin poker. Megjithatë kjo pistë është ende në hetim e sipër, ndërsa për momentin nuk ka asnjë person të dyshuar, për vrasjen me 15 plumba.
39-vjecari baba i tre vajzave të mitura, njihej në Durrës si djalë i qetë, familjar i rregullt, jo konfliktual me shoqëri të zgjeruar.
Në 2011 ka pasur me qera një lokal ‘Eurolloto’, në të cilën policia gjeti një sasi kanabis sativa. 39-vjecari u procedua penalisht, por mori pafajësinë në gjykatën e Apelit në Durrës, në përfundim të procesit gjyqësor.
Krimi ne Pisten ‘Iliria’, ja skema e vrasjes e ndertuar nga policia
Krimi ka ndodhur në zonën “Iliria” në plazhin e Durrësit, pak metra larg prej plazhit privat, që posedonte prej vitesh 39-vjeçari durrsak.
Ngjarja e rëndë krijoi pasiguri në qytet edhe për vetë faktin se viktima nuk ishte lakuar asnjëherë si person problematik. Si pasoje rreth pasdites forca te ndërhyrjes se shpejte e policia e rendit kane ushtruar kontrolle për gjetjen e vrasësit.
Viktima është baba i 3 vajzave të mitura dhe u ekzekutua me automatik rreth orës 15:00 në zonën e plazhit, në sektorin “Iliria”, në një kohë me lëvizje të shumta. Autori dyshohet se i ka zënë pritë dhe e ka mbajtur nën vëzhgim viktimën, që kish hipur në automjet pak çaste pasi ishte ndarë me shokët e tij.
Shpëtim Shala u gjet i vrarë brenda në automjetin e tij tip “Volkswagen”, me targa AA 086 HJ, i cili ndodhej pranë një lokali. Mbi 25 persona janë shoqëruar e po merren në pyetje nga policia e Durrësit për të hedhur dritë mbi krimin dhe autorët. Policia ndërton skenën e krimit. Krimi ndodhi në mes të një lagjeje të mbipopulluar me pushues e banorë, një rrugicë mes të pallateve, në brezin e parë, pas plazhit privat “Los Logos”, i cili është administruar nga viktima e miq të tij. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe e provave materiale të gjetura në vendngjarje rezulton se autori ende i paidentifikuar nga policia i ka ndërprerë rrugën Shalës, i cili në bazë të gjasave e ka njohur, kjo sepse ka ndaluar dhe ka fikur automjetin. Autori e ka qëlluar nga një distancë e afërt, rreth një metër, dhe është siguruar që viktima ka ndërruar jetë.
Por nuk dihet nëse kanë debatuar apo jo, nëse 39-vjeçari ka folur me atentatorin apo jo, pasi policia që ndërtoi skemën e krimit bëri me dije se autori ka shtënë 15 herë në drejtim të viktimës nga xhami i shoferit, që ka qenë i mbyllur në momentin që është kryer vrasja. Si pasojë e breshërisë së automatikut në krahun e majtë, viktima ka marrë 15 plumba në trup duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e krimit dhe ka bërë rrethimin e zonës e shoqërimin e shumë dëshmitarëve, por askush nuk ka dhënë detaje të rëndësishme për identifikimin e autorit të krimit. Sipas të njëjtave burime, viktima nuk e ka pritur sulmin me armë, sepse ka qenë i paarmatosur, sapo është larguar nga plazhi ku kish luajtur futboll me shokët. Sipas hetimeve, autori ka qenë një person i vetëm dhe ndaj 39-vjeçarit është shtënë vetëm nga një armë.
Ne pyetje gjithe te njohurit e 39-vjeçarit
Në pyetje për të zbardhur krimin janë marrë shokë e të afërm të tij, por të gjithë kanë pohuar se Shala nuk njihej si person konfliktual. Madje, durrsakët e njohin të gjithë si djalë të qeshur e pa konflikte, shumë popullor dhe i dashur me të gjithë. Në polici është bërë me dije se 39-vjeçari, i cili jetonte me qira ishte përpjekur disa herë të ngrinte biznes. “Ka marrë me qira disa herë dyqane, ka punuar si gjithë të tjerët. Kur nuk dilte, e mbyllte atë punë e lëvizte të gjente punë tjetër për të mbajtur familjen. Nuk ka qenë biznesmen, por si të gjithë shqiptarët që lëvizin të punojnë”, kanë thënë miqtë e tij në polici. Ndërkaq, burimet janë treguar të rezervuara në lidhje me pistat e këtij krimi, për vetë faktin se viktima nuk ishte mbajtur ndonjëherë në mbikëqyrje të policisë, përveçse në vitin 2011, ishte kapur me sasi të vogël kanabis për posedim lëndësh narkotike. Pas kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore të 39-vjeçarii Shala, janë evidentuar 15 plumba kallashnikovi në kraharor, kryesisht në krahun e majtë. Është qëlluar me plumba të kalibrit të madh, i kanë prekur zemrën dhe i kanë shkaktuar vdekje të menjëhershme si pasojë e dëmtimit të organeve jetësore. Të gjithë plumbat kanë ardhur nga krahu i majtë i derës së shoferit.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)
