Kreu i PD, Lulzim Basha në një deklaratë para nisjes së seancës së sotme parlamentare, është pyetur edhe për sulmet e fundit ndaj tij nga kreu i PL, Ilir Meta.
Basha u shpreh fillimisht se nuk i ka parë fare sulmet e ish-Presidentit të Republikës, ndërsa i pyetur nëse u është përgjigjur atyre me zëdhënësen e PD, ai tha se kjo e fundit flet në emër të partisë.
Megjithatë Basha la të kuptohet më tej se i ka ndjekur deklaratat e Metës, teksa tha se së bashku me disa miq “qeshëm me performancën e mjerueshme”.
Do të keni një përpjekje për të takuar deputetët për të negociuar për mbështetjen e amendamenteve tuaja?
Basha: Deputetët nuk janë bebe. Nëse marrim përgjegjësinë mesatare të një qytetari në rrugë, duhet të jenë ata që të ngrenë zërin për këto amendamente. Përkundrazi ekspozohen si kukulla që mendojnë vetëm për karrigen e tyre.
Sulmi në Shkodër vjen në klimë të tensionuar, ditën e shtunë kur Meta mblodhi të vetët sulmoi pak SPAK, por më shumë ju, si i patë sulmet e Metës?
Basha: As nuk i pashë fare.
I komentuat me zëdhënësen e partisë?
Basha: Ajo flet në emër të PD, miqtë që isha në Itali dhe unë e dimë arsyen. Qeshëm me performancën e mjerueshme, por nuk presim asgjë nga ai, apo nga ata zëdhënësin e të cilëve bën.