Zyrtarët e Komisionit Evropian dhe NATO-s kritikuan miratimin nga Gjeorgjia të një ligji që kërkon që organizatat e financuara nga jashtë të regjistrohen si “agjentë të huaj”.
”Fryma dhe përmbajtja e ligjit nuk janë në përputhje me normat dhe vlerat themelore të BE-së”, theksoi në një deklaratë shefi i marrëdhënieve të jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi.
Parlamenti i Gjeorgjisë miratoi legjislacionin e diskutueshëm të martën pavarësisht protestave të zemëruara në Tbilisi dhe presionit nga BE dhe Shtetet e Bashkuara për të mos e miratuar atë.
Mijëra njerëz dolën sërish në rrugët e kryeqytetit mbrëmjen e së martës.
Një nga shqetësimet e tyre kryesore është se ligji kërcënon rrugën e Gjeorgjisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Shumë kanë frikë gjithashtu se në ish-republikën sovjetike, si në Rusinë fqinje, organizatat kritike dhe mediat do të heshtin.
”Pavarësisht protestave të mëdha dhe thirrjeve të qarta nga komuniteti ndërkombëtar, shumica e qeverisë gjeorgjiane miratoi në Parlament ligjin “për transparencën e ndikimit të huaj”, thuhet në deklaratën e Borrell dhe Varhelyi.
Dy zyrtarët e Komisionit dënuan gjithashtu sulmet kundër aktivistëve dhe gazetarëve gjeorgjianë.
