Shoqata kombëtare e të verbërve përmes kryetarit të saj Ndoc Bjeshka ka akuzar kompaninë që administrojnë autobusët publik në qytetin e Shkodrës se para dy ditësh faturinot kanë goditur me grushte disa të vërbër që janë pjesë e kësaj shoqate.

Gazetari Senad Nikshiqi raporton për Balkanweb se shkak sipas Bjeshkës është fakti se të verbërit vijojnë që t’i zbresin me forcë nga autobusët në Shkodër, sepse se nuk paguajnë biletën pasi u takon ligjërisht që të udhëtojnë falas.

Bjeshka thotë se edhe shumë stacione autobusi sipas tij nuk ofrojnë asnjë kusht për të verbërit apo personat me aftësi të kufizuara.

Kreu i shoqatës së të verbërve i bën thirrje gjithë invalidëve që të ngriten në protestë për shkak se i ulin me forcë dhe sipas tij nëse kjo situatë vijon atëherë do t’i bllokojnë autobusët deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Ky problem i invalidëve që nuk lejohen të udhëtojnë falas me autobusët e qytetit vijon prej vitesh. Shkak për këtë është se kompania e autobusëve nuk merr kompensimin monetar sipas një ligji të miratuar që në vitin 2014. Neni 85 i këtij ligji thotë se kompensimin duhet që ta bëjë organi përgjegjës që në këtë rast është Bashkia Shkodër, por prej vitesh nuk janë zbardhur ende aktet nënligjore duke e bërë të pazbatueshëm ligjin nga ana e bashkisë. I gjithë ky ngërç ligjor 10 vjeçar sjell më pas përplasjen mes kompanisë së autobusëve dhe invalidëve të punës në Shkodër.

(Balkanweb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb