Demonstratat studentore pro-palestineze , të cilat filluan në Universitetin e Kolumbias në SHBA në prill dhe u përhapën në mbarë botën, duke përfshirë Evropën, vazhdojnë pavarësisht represionit dhe ndërhyrjeve të policisë.
Studentët në universitetet në mbarë botën po mblidhen në kampuset e tyre për të protestuar kundër sulmeve izraelite në Gaza .
Që nga prilli, policia ndërhyri në demonstratat universitare në shumë vende. Në këto ndërhyrje janë ndaluar mbi 2,500 persona.
Këto ndërhyrje u kërkuan të justifikoheshin me arsyetimin se studentët që organizonin demonstrata pro Palestinës paraqesin një “kërcënim sigurie”.
Korporata e Harvardit e Universitetit të Harvardit ka vendosur të mos u japë diploma 13 studentëve që janë “disiplinuar” për pjesëmarrjen në një demonstratë në mbështetje të Palestinës.
Korporata e Harvardit refuzoi gjithashtu kërkesën e Fakultetit të Arteve dhe Shkencave për dhënien e diplomave për 13 studentët deri në zbardhjen e situatës.
Një demonstratë u organizua në kampusin Irvine të Universitetit të Kalifornisë në mbështetje të studentëve të cilët u pezulluan për 14 ditë për pjesëmarrje në demonstratat pro Palestinës.
Studentët bojkotuan mësimin dhe kërkuan anulimin e pezullimeve.
Në Universitetin e Pensilvanisë në Filadelfia, mbështetësit palestinezë vazhdojnë të organizojnë demonstrata duke kërkuar fundin e investimeve të universitetit të lidhura me Izraelin dhe përfundimin e sulmeve të Izraelit në Gaza.
Policia ndërhyri kundër demonstruesve të cilët hynë në godinën e kampusit të universitetit dhe ndaluan 19 persona.
Në Universitetin Drexel në SHBA, një organizatë studentore pro-palestineze ngriti një kamp në solidaritet me Gazën pas një marshimi që shënonte 76-vjetorin e Nakba, shpërnguljes së detyruar të palestinezëve.
Kancelari John Fry, në deklaratën e tij, deklaroi se forcat e sigurisë po mbikëqyrnin demonstratat për të siguruar që ato të vazhdonin në mënyrë paqësore.
Policia në shtetin amerikan të Miçiganit çmontoi një kamp të ngritur nga studentë pro-palestinezë të Universitetit të Miçiganit. Policia hyri në kampus dhe e shpërndau kampin.
Studentët e Universitetit të Miçiganit kishin krijuar një kamp solidariteti në mbështetje të Palestinës, duke kërkuar që universiteti t’i jepte fund investimeve të lidhura me Izraelin.
Presidenti i Universitetit Santa Ono argumentoi se kampi përbënte një “kërcënim sigurie”.
Pasi u hoqën tendat, ndërtesat përreth zonës u mbyllën dhe disa studentë që kishin ardhur për të studiuar u kthyen.
Universiteti i Melburnit në Australi ka vendosur të zbulojë lidhjet e tij me kompanitë e mbrojtjes që prodhojnë armë.
Studentët pro-palestinezë njoftuan se do t’i japin fund demonstratave në kampus, duke e quajtur vendimin e administratës së universitetit një “fitore të rëndësishme”.
Administrata e universitetit përshëndeti vendimin e studentëve për t’i dhënë fund demonstratave.
Kampi në mbështetje të Palestinës në Universitetin e Torontos ka nisur prej tre javësh. Studentët vazhdojnë të kërkojnë që administrata e universitetit të ndërpresë lidhjet me kompanitë që mbështesin ushtrinë izraelite.
Kampi përfshin rreth 200 persona, duke përfshirë pedagogë, profesorë dhe studentë.
Studentët demonstruan në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin Humboldt në Berlin, Gjermani.
Studentët që brohoritnin me parulla në favor të Palestinës u ndaluan nga policia dhe shumë demonstrues u arrestuan.
Presidentja e Universitetit Julia von Blumenthal u takua me protestuesit në fakultet dhe njoftoi se studentët do të lejohen të demonstrojnë deri në orën 18:00 të ditës.
Policia ndërhyri për të prishur një demonstratë në mbështetje të Palestinës në Universitetin e Gjenevës në Zvicër dhe hoqi të gjithë flamujt dhe pankartat palestineze nga zona e demonstrimit.
Demonstrata, e cila filloi më 7 maj dhe përfundoi me ndërhyrjen e policisë më 15 maj, rifilloi në kampusin universitar.
Studentët vendosën të vazhdojnë demonstratën pasi negociatat me rektoratin që prej 15 majit nuk sollën progres.
Studentë dhe studiues në ENS (The École normale supérieure), një nga shkollat më prestigjioze në kryeqytetin francez Paris, ngritën tenda në mbështetje të Palestinës.
Demonstrata, e mbështetur nga rreth 40 studentë, përfshinte tabela ku shkruhej “Stop kolonizimit, ndaloni masakrën, solidaritet me Gazën”, “Prini lidhjet me gjenocidin”, Jo partneriteteve me universitetet dhe kompanitë izraelite”.
Në Greqi, prokuroria kërkoi dëbimin e nëntë shtetasve të BE-së, të cilët morën pjesë në një demonstratë në mbështetje të Palestinës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Athinës, me arsyetimin se ata “përbëjnë një kërcënim për sigurinë publike”.
Prokuroria kërkoi arrestimin dhe dëbimin e nëntë protestuesve që u ndaluan pas një proteste në mbështetje të Palestinës natën e 13 majit. Ata po mbahen në Qendrën e Emigracionit në Amigdaleza.
Në Universitetin e Milanos (Statale), një nga institucionet e arsimit të lartë në Itali ku u ngritën tenda në shenjë solidariteti me Palestinën, një grup sulmoi studentët e kampit.
Mësohet se 10 persona të cilët e quanin veten aktivistë të “Luftës Komuniste” sulmuan studentët që flinin në çadra dhe mes dy grupeve shpërtheu një sherr.
Rektori, Prof. Elio Franzini, dënoi aktet e dhunës dhe infiltrimit që cenuan veprimtarinë institucionale të shkollës.
Izraeli vazhdoi ofensivën e tij brutale në Gaza pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Më shumë se 35,700 palestinezë janë vrarë në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe rreth 80,000 të tjerë janë plagosur që nga tetori pas një sulmi nga Hamasi.
Më shumë se shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për “gjenocid” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi dhe të marrin masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
(A.A/BalkanWeb)
