Tonin Gjuraj ka thyer heshtjen dhe tregon sepse vendosi të kandidojë në garën për Rektor të Universitetit të Shkodrës. Ai është i pari ndër tre kandidatët që ka thyer akullin, madje duke ftuar edhe kandidatët e tjerë që të ballafaqohen me pedagogë e studentë për të shpalosur programet e tyre.
Gjuraj do të ketë përballë rektoren aktuale Rajmonda Këçira dhe pedagogen e historisë të këtij universiteti Nertila Ljarja.
Ndalimi i rënies së numrit të studentëve dhe shpëtimi i degëve që rrezikojnë të mbyllen është një prej 5 pikave kryesore të programit të tij thotë kandidati Gjuraj, raporton për BalkanWeb gazetari Senad Nikshiqi.
Profesor Gjuraj hodhi poshtë atë që përflitet se ka ardhur për të kandiduar për rektor të universitetit të Shkodrës me bekimin e Edi Ramës.
Në të njëjtën kohë mohoi edhe se do të jetë Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci duke thënë se e gjithë vëmendja është tek ky kandidim.
Në fund Gjuraj ka një ftesë për dy kandidatet e tjera Rajmonda Këçira dhe Nertila Ljarja që të ballafaqohen të tre sëbashku ose përballë pedagogëve dhe studentëve ose në një takim për mediat për të shpalosur programet e tyre.
Tonin Gjuraj nisi hapat e parë akademike nga universiteti i Shkodrës në fillim vitet ’90 për të vijuar me disa detyra të rëndësishme jo vetëm në arsim por edhe në diplomaci teksa shërbeu si Ambasador i Shqipërisë në Izrael para disa vitesh për t’u rikthyer tek arsimi dhe sëfundmi në këtë garë për rektor të universitetit të Shkodrës.
