Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Pronarët që u është marrë toka në vitet e para të komunizmit dhe nuk kanë aplikuar ende për njohjen dhe kompensimin e pronës kanë afat deri në 23 maj për të aplikuar në Agjencinë e Trajtimit të Pronave. Pas kësaj date nuk do të pranohet asnjë aplikim, çka do të thotë së pronari humbet përgjithmonë të drejtën për njohje e kompensim prone. Pronarët ose trashëgimtarët e tyre duhet të paraqesin vetëm dy dokumente, një dokument arkivor i njohur zyrtarisht dhe një pozicionim hartografik të pronës, që pretendohet për njohje pronësie. Dokumentet duhet të paraqiten në zyrat e Agjencisë së Trajtimit të Pronave ose në postë, në adresë të agjencisë. Drejtoresha e ATP-së, Sonila Qato, ka shpjeguar dje gjithë procedurën që duhet të ndjekin pronarët që nuk kanë aplikuar ende si dhe u ka kujtuar atyre se data 23 maj është afati i fundit.

Deklarata
Drejtoresha e Agjencisë së Trajtimit të Pronave bëri të ditur dje se për të gjithë të interesuarit, trashëgimtarë ligjorë të subjekteve të shpronësuara në vitet e para të regjimit komunist të procesit të kompensimit, data 23 maj 2016 shënon mbylljen e afatit ligjor për depozitimin e kërkesave të reja për njohje pronësie. “Të gjitha strukturat përkatëse në Agjencinë e Trajtimit të Pronës janë vënë në dispozicion të qytetarëve për të pritur të gjitha kërkesat e reja për njohje pronësie, të cilat duhet të depozitohen deri ditën e hënë datë 23 maj. Ky afat, i cili është bazuar në ligjin ri “Për trajtimin e pronës” është cilësuar si prekluziv dhe si i tillë është përfundimtar. Vetëm dy dokumente nevojiten për të paraqitur kërkesën e re për njohje pronësie: 1. Një dokument arkivor i njohur zyrtarisht. 2. Një pozicionim hartografik i pronës që pretendohet për njohje pronësie”, tha Qato. Vetë Agjencia do të provojë të drejtën mbi pronën për aplikuesit. “Është Agjencia e Trajtimit të Pronës, ajo që do të bëjë çdo verifikim apo hetim administrativ për të vërtetuar bazueshmërinë e kërkesës së paraqitur nga ana e çdo aplikuesi brenda këtij afati ligjor, duke i hequr pronarit një barrë të rëndë burokracie, e cila e ka dëmtuar këtë proces deri më sot. Kush nuk ka pasur mundësi në këto 23 vite proces të paraqesë kërkesën për njohje të pronësisë, ka mundësi ta kryejë këtë aplikim pranë sporteleve dhe në adresë postare të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, deri më datë 23 maj 2016”, tha Qato.

Dosjet e shqyrtuara deri tani
Nga hyrja në fuqi e ligjit të ri “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” e deri më sot, Agjencia e Trajtimit të Pronës ka vijuar punën mbi zbatimin e të gjitha proceseve të rregulluara nga ky ligj i ri. Kështu, nga data 23 shkurt 2016 deri më datë 16 maj 2016 janë paraqitur pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronës rreth 5000 pronarë të interesuar mbi këtë proces, nga të cilët 1300 aplikues janë për herë të parë. “Në mënyrë që qytetarët të cilët presin vendimmarrjen administrative mbi kërkesat e paraqitura nga ana e pronarëve për njohje pronësie të vihen në dijeni për këtë proces të nisur, nga muaji prill deri më sot janë njoftuar zyrtarisht 8630 përfaqësues pronarësh, të cilët kanë dosje në shqyrtim ende pa vendim. Aplikuesve në njoftimin e bërë nga ATP-ja i bëhet e ditur që ka nisur procesi i shqyrtimit të dosjeve dhe nëse kanë dokumentacion plotësues për vërtetimin e pronësisë, janë të lutur ta paraqesin pranë zyrave të ATP-së”, tha Qato. Për 510 dosjet e para ka nisur menjëherë procesi i verifikimit, konfirmimit dhe hetimit administrativ, në përfundim të të cilit Agjencia do të dalë me vendimmarrjet e para mbi njohjen e pronësisë, kompensimin fizik në pronën e njohur dhe kompensimin përkatës, referuar kërkesave të ligjit të ri.

Fondi fizik
Kriteri për shpërndarjen e fondit të tokës për kompensim fizik është që ATP-ja të përzgjedhë pronën gjeografikisht më pranë pronës së njohur për kompensim. ATP-ja shqyrton dokumentacionin e subjekteve, duke verifikuar dokumentacionin e lëshuar nga institucionet që e kanë lëshuar atë. Në rastet kur ATP-ja vlerëson se për ekzekutimin e vendimit përfundimtar është i nevojshëm një hetim administrativ, atëherë ajo kryen procedurën hetimore administrative, sipas procedurave të përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative. ATP-ja njofton publikisht nëpërmjet faqes zyrtare të institucionit, buletinit të njoftimeve zyrtare dhe/ose në media, listën e subjekteve që përfitojnë nga Fondi i Kompensimit të Pronave.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: