TIRANE – Libri i Ylli Mollës, “Këshilltari Amerikan ‘non grata’ në Tiranë” sjell raportet e rrëfimin e amerikanit që ndihmoi Ministrinë e Mbojtjes gjatë qeverisë “Meksi”. Bëhet Fjalë për Denny Lane. Molla ka botuar dokumentet e tij, që janë raporte, të cilat amerikani i dërgonte nga Ministria e Mbrojtjes në Tiranë drejt bazës Amerikane në Shtutgart. Në libër zbardhet misioni i të dërguarit special të Pentagonit, Denny Lane, pranë ministrit të Mbrojtjes, zgjedhjet e 26 Majit 1996, ngrirja e marrëdhënieve me SHBA-në dhe largimi i padëshiruar nga Shqipëria.

Nga: Ylli Molla*
Fillimdhjetori i vitit të tra zuar 1997. Këshilltari i ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer në SHBA, kur një zile e zgjatur trazoi qetësinë e apartamentit 141 “Eleventh Street”, South East Uashington DC. Telefonata vinte nga Shtëpia e Bardhë. Denny nuk e njohu zërin e Richard Schifter-it, këshilltarit të Presidentit Klinton për Sigurinë, i cili u detyrua të prezantohej. Ai iu drejtua Denny-t me fjalët: “Are you crazy?” “No!” iu përgjigj thjesht dhe shkurt ish-këshilltari amerikan në Tiranë. Pyetja e çuditshme e Schifter-it buronte prej deklaratës tronditëse të Denny-t disa ditë para largimit nga Shqipëria, kur ishte shprehur se shumë shpejt ushtria shqiptare do të shkatërrohej dhe vendi do të zhytej në kaos. Këto fjalë kishin shkaktuar pështjellim në Shtëpinë e Bardhë dhe Schifter e kishte më të thjeshtë që ta kërkonte përgjegjësinë te deklarata e papërmbajtur dhe jodiplomatike e ish-përfaqësuesit amerikan në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë. Për një çast ai u step nga përgjigjja e ftohtë dhe e prerë e Denny-t, që vijoi shpjegimin: “Unë isha luga brenda gjellës që po gatuhej atje…”. Nuk kishin kaluar veçse dy muaj dhe Shqipëria ishte përfshirë nga flakët e armëve… Parashikimi i tij kishte rezultuar profetik.
Tani që kanë kaluar plot dy dekada nga zgjedhjet e 26 majit 1996, një pjesë e misterit mbi ngrirjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-ve është zbardhur nga protagonistë të ndryshëm.
PJESË NGA LIBRI
Mars 1997: Si u shkatërrua ushtria shqiptare
Nga Dr. Denny Lane
Nga dhjetori 1996 “demokracia” ishte një iluzion për shqiptarët. Tre muaj më vonë, në mars 1997, ushtria shqiptare u shpërbë në valën e shkatërrimeve të përgjithshme politike e sociale, që përfshinë të gjithë vendin si rezultat i rënies së skemave piramidale, të cilat e zhytën kombin në anarki. Në fakt, shkatërrimi që sollën firmat piramidale ishte vetëm manifestimi vizual i problemeve të thella që shkaktoi udhëheqja e Partisë Demokratike. Rizgjedhja e PD-së në zgjedhjet e majit u pa me shumë dyshim. Pikërisht nga ky fakt filloi edhe procesi i kalbëzimit të qeverisjes. Shumica e personelit në ushtrinë shqiptare në atë periudhë ka shprehur një shqetësim të madh, pasi edhe ata nuk e dëshironin sërish fitoren e PD-së.
Ushtria
Në fillim të viteve ’90 ushtria shqiptare kishte pamjen e ushtrisë popullore kineze klasike (CPLA). Në zgjedhjet elektorale të marsit 1992, fitoi Partia Demokratike, mbështetësit e së cilës sollën mjaft ndarje etnike, fetare, si dhe ndarje gjyqësore. Kurse Sali Berisha, një mjek kardiolog i specializuar në Francë, u bë President i Shqipërisë. Berisha kontrollonte të gjitha aspektet e jetës politike shqiptare, duke përfshirë edhe mbrojtjen, ai u bë fakt i jetës, pasi shumë pak vendime që i përkisnin ushtrisë janë marrë pa urdhrin e drejtpërdrejtë të tij.
Duke pasur parasysh se kushtet për një integrim të mundshëm në NATO kërkonin “një kontroll civil mbi ushtrinë”, Alfred Moisiu, ministri i përkohshëm i Mbrojtjes, një ushtarak i lartë kompetent, i cili e kishte kuptuar rolin e ushtrisë, u zëvendësua me Safet Zhulalin, një civil, i cili deri në momentin e emërimit kishte qenë një mësues i rëndomtë matematike në qytetin verilindor të Shqipërisë, Peshkopi. Nën direktivat e Berishës dhe mbikëqyrjen e Zhulalit, procesi i transformimit të ushtrisë filloi, duke flakur tutje çdo gjë të trashëguar nga e kaluara, përfshirë dhe shoqërimin e ushtarakëve me popullsinë, fakte të cilat do të sillnin implikime të mëvonshme.
Arsye dytësore ishte moskuptimi i mjaftueshëm i bazave dhe natyrës së ushtrive në përgjithësi dhe i ushtrisë shqiptare në veçanti. Kjo u kombinua edhe me aplikimin autokratik nga ana e qeverisë të “kontrollit civil mbi ushtarakët”. Kaq i ashpër ishte kontrolli qeveritar mbi ushtrinë, saqë komandat ushtarake, tashmë të dobësuara nga largimi i oficerëve të përgatitur, u përjashtuan nga procesi i marrjes së vendimeve. Oficerët thoshin se kishin gëzuar shumë më tepër liri intelektuale në kohën e regjimit të Enver Hoxhës. Fakti që ushtria ishte e paaftë, në kuptimin klasik të fjalës, për të kryer misionin e saj primar, mbrojtjen e vendit, pak kishte të bënte me kolapsin e saj. Ushtria thjesht u shkatërrua nga brenda.
Një raport i Ushtrisë Shqiptare i shkruar në shtator 1996, që iu shpërnda zyrtarëve të mbrojtjes, pesë muaj para dezintegrimit të ushtrisë, në mënyrë specifike u drejtohej çështjeve që kishin të bënin me personelin dhe moralin.
Trupat e oficerëve
Njëkohësisht, brenda procesit të “modernizimit dhe oksidentalizimit” të ushtrisë, pati një revolucion social brenda rangjeve të oficerëve, e cila do të çonte në destabilizim. Ushtarakëve do t’u duhej që të mblidheshin dhe të merrnin vendime, të cilat më parë ishin marrë nga partia. Që nga dhjetori 1995, u vu re një rënie e moralit të ushtarakëve. Kjo i kishte burimet në mungesën e kushteve normale për ushtarakët, si pagat dhe strehimi. Ky raport ishte përpunimi i një raporti të shkruar një vit më parë, që kishte qarkulluar brenda ministrisë. Duke komentuar këtë fenomen, brenda tipareve të jetës shqiptare, një ish-ministër i Mbrojtjes thekson: “Ne të gjithë jemi komunistë dhe tani shumë oficerë, që nuk do të kishin pasur asnjë vështirësi për t’iu përshtatur pluralizmit të rendit të ri politik dhe që do të kishin qenë ndihmës në shtyrjen e Shqipërisë përpara drejt demokracisë, janë shkarkuar. Ndoshta regjimi i ri demokratik është më i mirë se i mëparshmi, por për kushtet shqiptare, ai është i ngjashëm me tragjeditë e Shekspirit. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për nevojat e popullit. Tani jemi të paaftë të konsolidohemi. Periudha e Hoxhës, pavarësisht nga pamja e saj, krijoi tradita klasore të përshkuara nga një luftë e mundshme. Ardhja e demokracisë ishte thjesht faza finale e këtij konflikti social. Nëse duam të përballojmë sfidat politike dhe ekonomike që shtrihen para nesh, konsolidimi është thelbësor. Duhet të mësohemi të jetojmë si një i vetëm”. Duke vazhduar, ministri shtoi se: “Ka pasur përherë një tendencë në Shqipëri për të kopjuar thjesht atë që na vihet para, në fillim kopjuam rusët, pastaj kinezët. Kështu i dhamë fund harxhimit të sasive të mëdha dhe të panevojshme monetare për mbrojtjen e Shqipërisë. Tani jemi kthyer nga amerikanët, por askush nuk merr mundimin të pyesë se çfarë ka të aplikueshme mënyra amerikane për Shqipërinë. Fakti që bashkëpunojmë është thjesht një reagim mekanik”. Duke u përpjekur të shpjegonte pse ushtarët në Ushtrinë Shqiptare ndihen të abuzuar, ministri nënvizoi se situata që ekzistonte në Ushtrinë Shqiptare në 1996 jepte një prizëm të shkëlqyer, përmes të cilit shihej karakteri iluzionar i demokracisë shqiptare, duke shtuar se: “Në të shkuarën dhe të sotmen, jeta në ushtri ka qenë e ashpër. Në fakt, është ‘risk’ të jesh në ushtri. Megjithatë, ushtria është një mjet i shkëlqyer për të parë mbi gjendjen e përgjithshme të ekonomisë sonë, meqenëse kushtet në ushtri, veçanërisht ndikimi i tyre mbi ushtarët, janë një pasqyrim i të gjitha esencave bazë që neve na mungojnë dhe që ju, në vendet e zhvilluara, i keni të garantuara. Në Shqipëri ushtria nuk është as profesioniste, as profesion dhe nuk ka për të qenë e tillë, derisa kushtet të përmirësohen dhe ushtarët të jenë krenarë që mbrojnë vendin. Sot historia vetëm tallet me ta”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb