Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE – Pas mësuesve dhe mjekëve, tashmë është radha e policëve të burgjeve, që t’i nënshtrohen testimit, mbi bazën e të cilit do të vlerësohen nëse janë ose jo të aftë për punën që kryejnë. Një urdhër i datës 8 janar 2015, që mban firmën e Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, urdhëron Drejtorinë e Përgjithshme të marrë masa me qëllim testimin e të gjithë policëve të burgjeve.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto, tha se institucioni që drejton ka ngritur një komision të posaçëm, i cili do të hartojë programin mbi bazën e të cilit do të kryhet testimi. “Në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve është krijuar një komision i posaçëm, i cili do të bëjë pikë së pari hartimin e programit, në bazë të së cilit do të vlerësohen njohuritë dhe gjithashtu kemi përcaktuar grafikun për çdo institucion duke lënë një afat kohor të veçantë për punonjësit në mënyrë që kur të vijë koha dhe data e testimit të jenë të përgatitur. Është një proces transparent, i cili ka në bazë ndërtimin, apo zhvillimin e kapaciteteve institucionale, e lidhur kjo me zhvillimin e aftësive individuale që në veçanti për sistemin tonë, vlerësohen shumë të rëndësishme”, tha Zoto. Sipas tij, testimi konsiston në tri drejtime; Vlerësim i njohurive profesionale, aftësive fizike dhe atyre psikologjike. Kreu i dikasterit të burgjeve, theksoi se të gjithë punonjësve u është lënë një afat prej dhjetë ditësh, që të njihen me programin dhe të përgatiten për testimin. “Gjithë punonjësit kanë dhjetë ditë kohë, që të njihen me programin, me kërkesat që ne kemi, gjithashtu të njihen me kërkesat që kemi për njohuritë, apo aftësitë që ata duhet të zotërojnë”, tha Zoto. Pas përfundimit të këtij afati, do të vijojë procesi. “Procesi nis në shkurt dhe përfundon në mars. Natyrisht testimi do të ketë ndikim, për shkak se ne do të ndërhyjmë dhe do të trajnojmë të gjithë ata punonjës, të cilët marrin rezultate të dobëta në testim”, tha Zoto, duke këmbëngulur se nuk do të ketë të shkarkuar. Sipas tij “të dobëtit” do të trajnohen, për të patur mundësi që të kryejnë mirë punën që u është ngarkuar në sistemin e burgjeve. Më herët në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, u zhvillua një aktivitet, ku u bë publik bordi antikorrupsion, që do të veprojë në të gjithë burgjet.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: