HOLANDE– 30 azilkërkues shqiptarë, të cilët nuk dëshironin të ktheheshin vullnetarisht nga Holanda në Shqipëri, janë kthyer të premten forcërisht me një fluturim të posaçëm qeveritar në vendin e tyre të origjinës. Me riatdhesimin e tyre numri total i shtetasve shqiptarë të kthyer nga Holanda gjatë këtij viti arrin në 500 persona, përfshirë këtu si ata të kthyer vullnetarisht, ashtu dhe ata forcërisht.

Përmes një deklarate për shtyp, ambasada holandeze në Tiranë bën të ditur se në këtë kontigjent ka gjithashtu persona që janë përpjekur të shkojne në Britaninë e Madhe në mënyrë të paligjshme, përmes porteve holandeze. Në këtë grup shtetasish të riatdhesuar ndodhen dhe 3 emigrantë shqiptarë të kthyer nga Belgjika.

Gjate vitit të fundit, numri i shqiptarëve të ardhur në Holandë për të kërkuar azil është rritur ndjeshëm. Vetëm gjatë katër muajve të fundit të vitit 2015 ka patur rreth 750 aplikime për azil. Ndërsa gjatë këtij viti deri në mes të majit ka patur 900 aplikime. Disa prej azilkërkuesve janë persona të ardhur në Holandë nëpërmjet një tjetër vendi të BE-së.

Shumë prej tyre kanë rrugëtuar për shkak të një keqinformimi të shpërndarë ndërmjet të tjerash edhe nëpërmjet kanaleve të trafikimit njerëzor dhe trafikantëve në Evropën Perëndimore, në kërkim të mundësive më të mira ekonomike.

Në fillim të këtij viti, Holanda dhe Shqipëria ranë dakort që kthimi i azilkërkuesve në të ardhmen të bëhej edhe me grupe, në mënyrë që personat që nuk duan të kthehen vetë të kthehen më shpejt; ndërsa më parë kjo gjë bëhej nëpërmjet fluturimeve normale. Mes Shqipërisë dhe Holandës ekziston një bashkëpunim shumë i mirë në fushën e migracionit dhe rikthimit mbi bazën e marrëveshjeve europiane që ka Shqipëria me BE-në. Kjo është një mënyrë e re e të punuarit së bashku ku të dyja vendet dëshirojnë të luftojnë në mënyrë më efektive qëndrimin e paligjshëm. Ato gjithashtu shpresojnë të dekurajojnë emigrantët ekonomike të cilet synojnë të vijnë në Holandë dhe t’i ndërgjegjësojnë për politikën holandeze të migracionit, në mënyrë që të mos krijojnë përshtypje të gabuara./ATA/
(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: