NGA ORNELA MANJANI*
TIRANË- Agjencia e Trajtimit të Pronave do të jetë e hapur edhe të shtunën edhe të dielën dhe do të presë kërkesat e pronarëve për kompensim. Madje zyrtarë të agjencisë do të asistojnë pronarët për plotësimin e formularit. “Ju bëjmë me dije se Agjencia e Trajtimit të Pronave do të jetë e hapur edhe më datë 21 dhe 22 maj 2016 (ditën e shtunë dhe të diele) nga ora 08:00 -16:00.
Meqenëse data 23 maj 2016 është afati i fundit për të aplikuar për njohjen e pronësisë, lutemi që vetëm ata qytetarë të cilët nuk kanë aplikuar asnjëherë për njohje pronësie dhe e paraqesin këtë kërkesë për herë të parë, të paraqiten pranë agjencisë. Të gjithë të interesuarit e tjerë do të njoftohen publikisht dhe zyrtarisht nga ana e ATP mbi ecurinë e dosjeve të tyre.
Pronarët që do të aplikojnë deri në datë 23 maj për njohje pronësie duhet të kenë me vete vetëm dy dokumente: Një dokument origjine prone të nxjerrë nga Arkiva e Shtetit dhe një pozicionim hartografik të pronës që pretendojnë t’u njihet. Qytetarët që do të vijnë pranë agjencisë do plotësojnë formularin e aplikimit për të cilin do të keni mundësinë të konsultoheni me punonjësit e agjencisë”,- thuhet në njoftimin e ATP-së.
Pronarëve që u është marrë toka në vitet e para të komunizmit dhe nuk kanë aplikuar ende për njohjen dhe kompensimin e pronës kanë afat deri në 23 maj për të aplikuar në Agjencinë e Trajtimit të Pronave. Pas kësaj date nuk do të pranohet asnjë aplikim, çka do të thotë së pronari humbet përgjithmonë të drejtën për njohje e kompensim prone.
SQARIMI
Drejtoresha e Agjencisë së Trajtimit të Pronave bëri të ditur pak ditë më parë se për të gjithë të interesuarit, trashëgimtarë ligjorë të subjekteve të shpronësuara në vitet e para të regjimit komunist të procesit të kompensimit, data 23 maj 2016 shënon mbylljen e afatit ligjor për depozitimin e kërkesave të reja për njohje pronësie, se, në mbështetje të ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimit nga çdo qytetar i interesuar pranë kësaj agjencie.
“Të gjitha strukturat përkatëse në Agjencinë e Trajtimit të Pronës janë vënë në dispozicion të qytetarëve për të pritur të gjitha kërkesat e reja për njohje pronësie të cilat duhet të depozitohen deri ditën e hënë datë 23 maj afat ky, i cili bazuar në ligjin e ri “Për trajtimin e pronës” është cilësuar si prekluziv dhe si i tillë është përfundimtar. Vetëm dy dokumente nevojiten për të paraqitur kërkesën e re për njohje pronësie:
1. Një dokument arkivor i njohur zyrtarisht.
2. Një pozicionim hartografik i pronës që pretendohet për njohje pronësie”,-tha Qato. Vetë agjencia do të provojë të drejtën e pronës për aplikuesit.
“Është Agjencia e Trajtimit të Pronës, ajo që do të bëjë çdo verifikim apo hetim administrativ për të vërtetuar bazueshmërinë e kërkesës së paraqitur nga ana e çdo aplikuesi brenda këtij afati ligjor, duke i hequr pronarit një barrë të rëndë burokracie, e cila e ka dëmtuar këtë proces deri më sot. Kush nuk ka pasur mundësi në këta 23 vjet proces të paraqesë kërkesën për njohje të pronësisë ka mundësi ta kryejë këtë aplikim pranë sporteleve dhe në adresë postare të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, deri më datë 23 maj 2016”,-tha Qato.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
