Nga AURORA KOROMANI*

Prokuroria për Krime të Rënda ka përfunduar hetimet për 35-vjeçarin që shfrytëzoi për ushtrim prostitucioni një vajzë nga Elbasani. Konkretisht në gjykatë është dërguar dosja për Gjergji Korën, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të personave të rritur”, në dëm të nënës me një fëmijë, M.Rr. Kjo e fundit, në tetor të vitit 2013 ka bërë denoncimin pranë Policisë së Elbasanit ndaj shfrytëzuesit të saj, sipas të cilës e ka detyruar për të kryer profesionin e prostitutës në shtetin italian. Gjatë denoncimit, 22-vjeçarja ka sqaruar se ka qenë e martuar më parë dhe nga kjo martesë ka një djalë, të cilin në momentin që është larguar drejt Italisë, e ka lënë te prindërit e saj. Vajza ka denoncuar se arsyeja se përse ajo nuk ka mundur të largohet herët nga shfrytëzuesi ka qenë pikërisht djali i saj, pasi Kora e ka kërcënuar se do e vriste atë.

Njohja
“Në vitin 2013, pikërisht në qytetin e Tiranës, M.Rr është njohur me një person të quajtur Gjergji Kora, i cili e ka ftuar për kafe në një lokal të ndodhur pranë pallatit me shigjeta. Atje ai i ka shprehur interesimin ndaj saj, se kishte disa kohë që e kishte pasur në vëzhgim si në Elbasan, ashtu edhe në Tiranë dhe se ndjente pëlqim ndaj saj. Gjergji i ka propozuar asaj të krijonin lidhje bashkë dhe që të shkonin në Itali për të punuar, pasi në Shqipëri nuk kishin se çfarë të bënin. M.RR e ka pyetur se çfarë pune do të bënte ajo në Itali dhe Gjergji i është përgjigjur se do të punonte si pastruese. M. ka rënë dakord, por i ka shprehur ndërkohë Gjergjit shqetësimin e saj se nuk kishte pasaportë për të lëvizur jashtë shtetit dhe se madje, nuk kishte as para që të aplikonte për marrjen e saj. Gjergji është ofruar t’ia japë ai paratë për pasaportën. Pas dy–tri ditësh ai i ka dhënë asaj shumën e parave që nevojitej. . ka aplikuar për pasaportë dhe për katër–pesë ditë ka arritur edhe të pajisej me të. Konkretisht rezulton se M. është pajisur me kartë identiteti më datë 07.02.2013 dhe me pasaportë më datë 26.03.2013. Pas dy–tri ditësh ata janë nisur së bashku për të shkuar në Itali. M. djalin e saj të vogël e ka lënë në familjen e nënës së vet në qytetin e Tiranës. Nga sistemi TIMS rezulton se M. është larguar nga territori i R.Shqipërisë më datë 03.04.2013″, citohet në dosjen e prokurorisë.

Mbërritja në Itali
“Në Torino i priste me taksi një shoku i Gjergjit, emrin e të cilit M. nuk e di. Pasi kanë hipur në taksi me të, kanë shkuar në një shtëpi të ndodhur në Torino. Ajo ka kryer dy–tri herë marrëdhënie seksuale me Gjergjin kur kanë mbërritur në Itali. Më pas, teksa qëndronin në shtëpinë e sipërcituar, Gjergji i ka thënë M., se duhet të punonte, duke kryer marrëdhënie seksuale me pagesë, për të shlyer paratë që atij i ishin nevojitur për ta sjellë në Itali. Ajo pretendon se ka shprehur dëshirën e vet për të punuar si pastruese dhe jo në rrugë, por Gjergji e ka kërcënuar dhe i ka thënë se nëse nuk do të punonte siç i thoshte ai, do ta mbante të lidhur në shtëpi, do ta rrihte dhe do ta vriste. M. nga frika ka pranuar të punonte në rrugë, duke kryer kështu marrëdhënie seksuale me pagesë. Për çdo klient ajo paguhej, në rast të kryerjes së marrëdhënieve në makinë me shumën 25–30 euro, ndërsa për ata që i shoqëronte në shtëpinë ku banonte, paguhej në shuma si 50, 80, 120 ose 150 euro. M. pretendon se ishte Gjergji Kora, ai që e kishte detyruar t’u kërkonte këto shuma klientëve. Orari i punës së saj ishte nga ora 10.00 e mëngjesit deri në orën 16.00 të pasdites. Në mbrëmje dilte e punonte sërish nga ora 21.30 deri në orën 03.00 të mëngjesit të ditës tjetër. Këtë punë ajo e ka bërë për dy javë dhe paratë që ka arritur të fitojë ia ka marrë Gjergji Kora. Gjatë kohës që ushtronte prostitucion, kryente marrëdhënie seksuale me pagesë afërsisht me 7–8 klientë gjatë ditës dhe në mbrëmje me 10–15 klientë. Ditën fitonte rreth 350–400 euro kurse në mbrëmje 700–800 euro. Pas disa ditësh, Gjergji i ka thënë se do të largohej për në Shqipëri, pasi kishte disa punë. Me vete ai ka marrë edhe paratë që M. kishte fituar nga ushtrimi i marrëdhënieve seksuale.

Sipas M., pas largimit të Gjergjit, ajo mbahej nën kontroll të plotë nga shokët e tij, të cilët kalonin në rrugë për të parë nëse M. kishte dalë të punonte apo jo. Megjithatë, ajo sqaron se shokët e tij nuk i ka njohur dhe nuk i njeh, pasi nuk i ka takuar kurrë. Megjithatë, vërente se e ndiqnin nga pas dhe Gjergji i kishte thënë të mos ikte se atje kishte dhe shokët e tij që e vëzhgonin. Para se Gjergji të largohej për në Shqipëri i kishte thënë se nëse ajo largohej nga puna që bënte, ai do ta vriste dhe e kërcënonte se do t’i vriste edhe djalin. M. sqaron se Gjergji e ka shfrytëzuar për ushtruar prostitucion kundrejt pagesës për rreth dy muaj. Ndodhur para kësaj situate, M. ka folur me një vajzë që e ka njohur në Itali, e cila i ka dhënë numrin e telefonit të një shtetaseje tjetër. Kjo vajzë i ka thënë se për çdo problem që do kishte, kjo shtetase, e cila ndodhej në Francë, do ta ndihmonte. Kështu M. ka komunikuar në telefon me këtë shtetase në Francë, e cila është nisur nga Franca bashkë me bashkëshortin e saj rumun dhe ka mbërritur në Itali me makinën e saj. Ajo ka marrë M. dhe kanë shkuar në Francë, ku kanë qëndruar në shtëpinë e asaj, bashkë me familjen e saj. Në Francë, M. ka qëndruar për rreth një javë dhe më pas ajo ka tentuar të rikthehet në Itali, por në kufirin ndërmjet Francës dhe Italisë ajo është ndaluar nga policia. Me vete kishte një dokument bullgar, të cilin pretendon se ia kishte dhënë Gjergji kur ishin bashkë në Itali. Policia franceze sipas saj e ka bërë me dije se ky dokument ishte i falsifikuar. Pasi policia franceze e ka mbajtur për 45 ditë në një kamp rehabilitimi, e kanë kthyer në Shqipëri. E pyetur nga punonjësi i policisë nëse ajo njeh ndonjë shok të Gjergjit, M. pretendon se ata flisnin me emra jo të vërtetë dhe se ajo fizikisht nuk ka takuar asnjë shok apo shoqe të Gjergjit në Itali”, përfundon dosja e prokurorisë.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: