TIRANE-Pranvera Ebeling, me nënshtetësi gjermane, u identifikua nga autoritetet gjermane si pika e kontaktit në rrjetin e trafikut të kokainës. te perditshmet ‘Mapo” dhe ‘Panorama’ shkruajne se ajo mbërriti në Shqipëri më 14 dhjetor dhe u largua një ditë pasi autoritetet gjermane sollën kërkesën për hetimin e bashkëjetuesit të saj, Ilir Hyseni. Hetimet: Pranvera dhe Iliri, komunikime të shpeshta për trafikun e kokainës.
“Mapo” shkruan se një grua shqiptare me nënshtetësi gjermane është pika e lidhjes në rrjetin e trafikut të kokainës Shqipëri-Gjermani. Ajo është identifikuar sie Pranvera Ebeling, dhe është një nga personat kyç që po hetojnë autoritetet gjermane lidhur me linjën e trafikut të kokainës që përpunohej në laboratorin e Xibrakut në Elbasan.
Arrestimi i një shqiptari në Gjermani ka përfshirë në hetime edhe vajzën nga Shqipëria, rezidente prej rreth 10 vitesh në Gjermani. Sipas hetimeve të kryera nga pala gjermane rezulton se vajza ishte pika e kontaktit mes dy grupeve, pjesëtarë të të njëjtit rrjet që kishin kryer edhe më parë trafik kokaine nga Shqipëria në Gjermani.
Pranvera Ebeling mësohet se ka mbërritur nga Gjermania në Shqipëri më datën 14 dhjetor, vetëm tri ditë përpara se autoritetet gjermane të sillnin kërkesën për hetimin e Ilir Hysenit dhe Ermal Hoxhës, persona këta që komunikonin shpesh mes tyre për sistemimin e punëve që kishte marrë përsipër pala shqiptare në rrjetin e trafikut të kokainës. Vetëm tri ditë pas mbërritjes në Shqipëri të Pranvera Ebeling, autoritetet gjermane vunë në dispozicion të Prokurorisë së Krimeve të Rënda një dosje, sipas së cilës, e dyshuara kishte komunikim të vazhdueshëm me shtetasin shqiptar, Ilir Hyseni.
Ky i fundit, sipas autoriteteve gjermane mbante kontakte të vazhdueshme me shtetasit Fatmir Imeraj, pronar i një servisi në zonën e Kombinatit në Tiranë dhe Ermal Hoxhën, i identifikuar si një nga personat që vizitonte shpesh laboratorin e kokainës në Xibrakë të Elbasanit. Pas mbërritjes së Ebeling në Shqipëri, autoritetet shqiptare kanë mundur të identifikojnë itinerarin e përshkruar prej saj dhe kontaktet e vazhdueshme që ajo ka patur me shtetasin shqiptar, Ilir Hyseni.
Ajo është mbajtur nën vëzhgim deri më datën 18 dhjetor të vitit 2014, kur edhe është larguar nga Porti i Durrësit me destinacion përfundimtar Gjermaninë. Gjatë kohës që ndodhej në Shqipëri, e dyshuara ka folur shpesh në telefon me shtetasin Ilir Hyseni, i cili nga ana e tij i linte asaj detyra të caktuara, që sipas prokurorisë krijojnë dyshime se të dy personat ishin të përfshirë në organizimin e rrjetit të trafikut të kokainës.
(d.b/BalkanWeb)
