*Duhen votuar kandidaturat nga Parlamenti me 2/3 sa të jetë gjallë Edi Rama
TIRANE-Dy ditë para takimit me Bashën, Kryeministri Edi Rama i premtoi sot publikisht opozitës se shumica pranon propozimin e tyre për votimin me 2/3 të Paketës Kushtetuese të Reformës në Drejtësi. Premtimi u bë në Kongresin e PDIU-së ku ishte i ftuar.

Rama tha se java e ardhshme është java e të vërtetës, ndërsa bëri të qartë edhe njëherë dy pika ku nuk mund të negociohet me opozitën.
“Kemi mbështetur reformën në drejtësi, për të cilën dy fjalë kam meqë Shpëtimi mu referua. Ne, unë personalisht sëbashku me kryetarin e LSI kemi bërë çdo përpjekje dhe kemi testuar, unë më shumë se Iliri, se Iliri durimin e ka armën e vet më të fortë, unë nuk jam aq i durueshëm por këtë herë kam mësuar që duroj tej çdo durimi, për të krijuar kushtet që kjo reformë të votohet nga të gjithë. Kemi qenë dhe jemi të gatshëm për të gjithë kompromiset, por me dy kushte: E para nuk ka kompromis mbi shtyllën themelore të reformës që është hedhja në erë e sistemit të korruptuar që mban bashkë gjykatës dhe prokurorë që nuk duhet të hetojnë dhe gjykojnë të tjerët, por duhet të hetohen dhe gjykohen nga drejtësia. Dhe kjo e garantuar përmes një skanimi me kontroll ndërkombëtar të pasurisë, karrierës, vendimarrjeve dhe aftësive. Vetëm pasi të kalojnë këtë test me standartet më të larta ndërkombëtare le të ulen nëpër punë dhe le të hetojnë dhe gjykojnë të tjerët. Kjo nuk negociohet. Ana tjetër, nuk negociohet ngrehina e sistemit, është një sistem i ri që do ngrihet mbi sistemin e vjetër që reforma do ta shembë sepse ky është vullneti i më shumë se 90% të shqiptarëve.

Nuk kemi asnjë problem ne, duan 2/3, 2/3 le ti marrin. Nuk na intereson fare kjo pjesë.

Duan të jenë dhe ata pjesë se kanë bërë një kusht, duhen votuar kandidaturat nga Parlamenti me 2/3 sa të jetë gjallë Edi Rama. Nuk ka problem. Nuk mund tu premtoj se do vdes kur të duan ata, por mund tu premtoj se deri sa të jem gjallë me 2/3, por një gjë po u them, e kam thënë disa herë. Kam thënë që reforma mund të kalojë dhe mund të kalonte dhjetorin e kaluar, kam thënë që mund të kalojë në shkurt, mars, prill”.

“Po ju them që java e ardhshme është java e të vërtetës dhe e gjithë shumica jonë, PS-LSI-PDIU mbështet pa asnjë ngurim draftin e dakordësuar me SHBA dhe BE”, u shpreh kryeministri.

Rama pritet të takohet me Bashën, ditën e hënë për të diskutuar mes të tjerash dhe për Reformën në Drejtësi.
Para takimit mes tyre, ndihmës sekretarja e shtetit amerikan, Viktoria Nuland ka kontaktuar me kreun e opozitës por dhe me ish-kryeministrin Berisha lidhur me takimin e pritshëm ditën e hënë.

(d.b/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb