TIRANE- Ministria e Punëve të Jashtme greke ka reaguar në lidhje me deklaratat e bëra dje nga kryeministri Edi Rama gjatë kongresit të PDIU-së.
MPJ greke i ka cilësuar deklaratat e Ramës të papranueshme, ndërsa ky i fundit teksa u ndal tek marrëdhëniet me shtetin fqinj pohoi se po mundohen të heqin ligjin e luftës. Ndër të tjera Rama tha se gara me mitet nuk i ka sjellë asnjë të mirë fqinjësisë së vendeve, dhe se kjo garë i përket së shkuarës. Sipas Ramës, vendit i duhet një patriotizëm modern. “Palës tonë i ka mjaftuar në gjithë këto vite: Po ç’rëndësi ka, ai ligj është kot. Ne jemi miq kemi traktatin e miqësisë. Por, po të jetë kot, çfarë na kushton ta heqim? Dhe ne e kimi kusht. Për të çuar në një fazë të re marrëdhëniet me Greqinë, për të cilat jemi shumë të interesuar, heqjen e ligjit të luftës”, u shpreh dje kryeministri.
Duke marrë shkas nga këto deklarata, MPJ greke pohoi se Shqipëria të mos ngrejë çështje jo ekzistente. Nga ana tjetër ministria e Punëve të Jashtme e shtetit fqinj theksoi se vendi ynë duhet të plotësojë 5 prioritetet kyçe.
“Shqipëria duhet të kuptojë se rruga e saj për në Bashkimin Evropian varet nga zbatimi me përpikmëri të pesë prioriteteve kyçe, mes të cilave bën pjesë reforma në drejtësi dhe sundimi i ligjit. Kjo presupozon se duhet të respektojë vendimet e gjykatave, veçanërisht kur kanë të bëjnë me krime lufte dhe në vend që të ngrejë çështje joekzistente, të zbatojë kushtet dhe të mbrojë të drejtat e Minoritetit Kombëtar Grek. Kultura politike e nevojshme mes fqinjëve parashikon seriozite, por dhe vizionin e nevojshëm për të vazhduar marrëdhëniet që nuk do të cënohen nga deformimi me dashje ose jo i fakteve historike, por do të bazohen në ndërtimin e një të ardhmeje që siguron progres të konsiderueshëm në marrëdhëniet bilaterale dhe të kontribuojnë në sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit”, -thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke.
(ed.me/BalkanWeb)
