Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi mbërriti sërish në ambientet e SPAK. Kryemadhi edhe sot ecte duke përdorur një bastun, ndërsa çalonte. Një ditë më parë, Kryemadhi sqaroi se po përdorte bastunin për shkak të një lëndimi në menisk gjatë ushtrimeve në palestër.
Sot në Apelin e GJKKO u zhvillua seanca për ankimimin e Kryemadhit lidhur me sekuestrimin e 2 shtëpive nga SPAK. Apeli ka prishur pjesërisht vendimin e shkallës së parë të GJKKO duke i hequr sekuestron e vilës së nënës së saj, Fatime Kryemadhi, por mbetet nën sekuestro vila e deputetes së PL-së, Monika Kryemadhi.
Ajo tha se do ta vazhdojë betejën me drejtësinë edhe ne shkallet e tjera te drejtesise, deri ne Strasburg.
“Të dyja banesat janë të përfituara në mënyrë të ligjshme, e prani edhe prokurori. Ka edhe një avantazh që unë futem një cik më pa radhë se mamaja ime në gjykatën e Strasburgut. Në raste të tilla prokurori zbaton vendimin e gjykatës. Kishim vetëm shpalljen, prokurori kërkoi që të mos ndryshohej vendimi. Që të jemi të sinqertë, prokurori ngritën arsyen e bashkëpunimit të Fatime Kryemadhit me Ilir Metën për korrupsion që nga video e Dritan Priftit. Për çështjen e CEZ-Dia që pretendojnë se Fatime Kryemadhi ka bashkëpunuar me Metën. Fatime Kryemadhi e ka blerë banesën në mars ndërsa Meta dyshohet për një çështje që është gjykuar dy herë në 2015, bëhet fjalë për në dhjetor të 2018. Si mund të jetë bashkëpunimi. Nuk ka koherencë, sistem të provave, aq më shumë që ti bën sekuestro për një grua që ka një ekspertizë financiare të paraqitur”, u shpreh ish-kryetarja e PL.
(BalkanWeb)
