Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato uroi Shqipërinë për hapjen e grupkapitullit të gjashtë, duke e quajtur një arritje të rëndësishme.
“Një tjetër arritje e rëndësishme! Urime Shqipërisë për hapjen e negociatave për grup-kapitullin 6 – kapitujt për marrëdhëniet e jashtme dhe politikën e jashtme”, tha Gonzato.
Kjo, shtoi Gonzato, shënon një hap të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe një njohje të përafrimit të plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.
“Inkurajojmë Shqipërinë të ruajë angazhimin dhe vendosmërinë e saj në avancimin e reformave të nevojshme në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Shqipërisë🇦🇱 në këtë rrugëtim sfidues”, u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
