PRISHTINË- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi sot se “çështja e Trepçës nuk do të diskutohet askund përveçse në parlamentin e Kosovës, pasi ajo është pasuria e Kosovës”, sipas KosovaPress.
Këto deklarata, Thaçi i bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp, me homologun austriak Sebastian Kurz, i cili ndodhet për vizitë në Kosovë.
“Bashkë me ekspertët ndërkombëtarë do të nxjerrin një legjislacion të përshtatshëm për stabilizimin e kësaj ndërmarrje. Sa i përket Trepçës ne kemi nxjerrë dje një legjislacion të veçantë në Kuvendin e Kosovës. Me këtë legjislacion e kemi shpëtuar nga falimentimi Trepçën , ndërsa kemi fituar edhe në kohë që bashkërisht me ekspertë edhe ndërkombëtarë të nxjerrim legjislacionin e duhur, që do të stabilizojë atë kombinat dhe në të njëjtën kohë do të jetë i përshtatshëm edhe për Kosovën , por nuk do të jetë çështje që do të diskutohet në një vend tjetër, sepse ajo është pasuria e Kosovës”, tha Thaçi.
Zëvendëskryeministri Thaçi e ka njohur homologun e tij me zhvillimet aktuale në vend, për njohjet që shteti ka pranuar deri tani për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë e po ashtu edhe për ekstremizmin dhe radikalizmin.
Thaçi, ka potencuar se Kosova është lider në rajon kundër ekstremizmit dhe radikalizmit. Kosova ka ndërmarrë hapa konkretë, jashtëzakonisht të rëndësishëm ndaj gjithë elementëve që kanë paraqitur rrezik për shoqërinë e Kosovës. Tani jemi duke nxjerrë edhe ligjin që ndalon shkuarjen e qytetarëve apo pjesëmarrjen në luftëra të huaja të qytetarëve. Mendoj se do të na ndihmon shumë sidomos në përmbushjen e asaj zbrazëtire ilegale që ka ekzistuar dhe që kemi pasur edhe ne në Kosove dhe që mund të them lirisht që ne do të jemi të pakompromis dhe do të kemi zero tolerancë ndaj elementeve ekstremistë dhe radikalë kudo dhe kudo që paraqiten”, theksoi Thaçi.
Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz, theksoi se pjesëmarrja në luftërat e Sirisë dhe Irakut është shumë e madhe dhe ky numër është shqetësues.“Ne po i shohim tendencat radikale gjithkund në Evropë dhe luftën kundër tyre. Edhe në Austri ka persona që kanë kaluar në Irak dhe Siri për të mbështetur terroristët atje dhe me rëndësi është që të jemi unik në luftën kundër këtij lloj radikalizmi dhe e di që edhe në Kosovë, në kohën kur ju ishit kryeministër është punuar shumë në këtë fushë, prandaj e di që keni punuar shumë edhe në dialogun ndërfetar dhe po ec shumë mirë, por që jeni edhe shumë i vendosur kundër radikalizmit që të mund të zhvillohet islami evropian në Kosovë edhe më tutje, ashtu siç ka qenë deri më tani pa lënë vend për radikalizëm”, u shpreh Kurz.
Zevendeskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosoves, Hashim Thaçi ne takimin me Ministrin e Puneve te Jashtme te Republikes se Austrise, Sebastian KurzTë dy ministrat kanë diskutuar edhe për investimet e mëtejshme austriake në Kosovë. Thaçi shtoi se Kosova është duke vazhduar përpjekjet për tërheqjen edhe të investitorëve austriakë dhe se institucionet janë duke punuar për krijimin e kushteve në këtë drejtim.
“Ne do të punojmë maksimalisht edhe në raportet bilaterale me Austrinë, Austria është një prej vendeve që ka një prezencë të fuqishme ndërkombëtare edhe në Kosovë, qoftë me KFOR-in, OSBE-në dhe me mekanizmat tjerë ndërkombëtarë, por në të njëjtën kohë duhet të vazhdojmë që të inkurajojmë edhe më tepër investitorët austriakë që janë të dëshmuar të suksesshëm në veçanti në sistemin energjetik ujor, do të vazhdohet që të vijnë edhe të tjerë në mënyrë që edhe Kosova me atë përvojë të investitorëve austriak hapen vende të reja të punës, të rritet mirëqenia sociale e qytetarëve . Unë kam besim të plotë se këto marrëdhënie tona vetëm sa do të rriten, do të forcohen dhe do të afirmohen”, u shpreh Thaçi.
Ministri i Puneve te Jashtme te Republikes se Austrise, Sebastian Kurz ne PrishtineKurz duke konfirmuar mbështetjen e shtetit të Austrisë u shpreh se “me të gjitha përpjekjet tona ndërkombëtare sidomos sa i përket Organizatës së Këshillit të Evropës, do të përpiqemi të japim mbështetjen tonë që të merrni të paktën integrimin në Evropë”.
(ma.ar/BalkanWeb)
