PRISHTINE – Qeveria e Kosovës thekson se “Trepça” është pasuri e Kosovës, është organizatë në territorin e saj, prandaj “me këtë kombinat do të udhëheqin institucionet e Republikës së Kosovës, të parapara me ligj, në interes të punonjësve të ‘Trepçës’ dhe të ekonomisë së Kosovës”.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, qeveria e Kosovës bën të ditur se “Kuvendi me kërkesë të Qeverisë, dje ka aprovuar Ligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Riorganizimin e Ndërmarrjeve të Caktuara dhe Pasurisë së Tyre, me të cilin janë krijuar kushtet për punë normale të ‘Trepçës’, duke evituar fillimin e procedurave për falimentim”.
“Qeveria po ashtu dje e ka proceduar në Kuvend Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, me të cilin parashihet që për ‘Trepçën’ të hartohet Strategji Zhvillimore dhe të nxirret ligj i veçantë”, thuhet në deklaratë.
“Çdo tentativë për të mbjellë huti se është hequr dorë nga ‘Trepça’ është e pavërtetë dhe qëllimkeqe”, -përfundon deklarata e qeverisë së Kosovës.
(er.nu/BalkanWeb)
