Prokuroria Fier dërgon për gjykim tre autorët e dhunimit për vdekje të një 89-vjeçari në fshatin Klos të Mallakastrës. Ngjarja e rëndë ndodhi në vitin 2022, kur Ervis Halimi, Musa Gudo dhe F.Ç., hyn në banesën e Çaush Shehajt. Ata ushtruan dhunë fizike ndaj tij prej të cilës ai humbi jetën si dhe grabitën banesën.

Njoftimi i Prokurorisë 

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq tre të pandehurit. Ata akuzohen për veprat penale “Vjedhja me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 141 i Kodit Penal dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278 prg.1 i Kodit Penal.

Nga hetimet e zhvilluara në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë në kuadër të procedimit penal nr.1394/2022, u arrit të provohet se, në datën 19.11.2022, rreth orës 02:00, në fshatin Klos, Bashkia Mallakastër, shtetasit Ervis Halimi, Musa Gudo dhe F.Ç. në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur me armë banesën e shtetasit Çaush Shehaj, të cilin edhe e kanë dhunuar fizikisht.

Si pasojë e plagëve të marra në pjesën e fytyrës dhe të trupit, Çaush Shehaj, 89 vjeç, ndërroi jetë.

Çaush Shehaj
Çaush Shehaj

“Në përfundim të hetimeve organi i akuzës ka përpiluar edhe kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq në ngarkim të pandehurve për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 141 i Kodit Penal dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” e parashikuar nga neni 278 prg.1 i Kodit Penal.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër shëndetit të personit dhe pasurisë së tyre”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Fierit.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb