Në Elbasan sezoni i ri artistik i vitit 2025 është çelur gjatë kësaj mesjave dhe starti i saj ishte mjaft mbresëlënës. Komedia “Ëndërr në Papafingo” e shkruar nga Leka Bungo ishte aktiviteti i parë i këtij fillimviti dhe u shfaq për tri netë radhazi në skenën e Teatrit Skampa në qytetin e Elbasanit. Kjo komedi pati një sukses të jashtëzakonshëm pasi në çdo shfaqje të saj salla e Teatrit Skampa u tejmbush me spektatorë si rrallë herë.

Aktorët që interpretuan në komedinë “Ëndërr në Papafingo” përcollën me profesionalizëm para spektatorëve personazhet që bartnin mendësinë e mykur në një sistem shtypës, përvetësimit të pronës dhe përplasjet kulturore të kohës.Shfaqja solli në mënyrë perfekte para spektatorëve realitetin e hidhur të viteve ‘70 në Shqipëri .Përmes satirës, kjo komedi përcolli mesazhe për një kohë që nuk duhet të kthehet më.

Personazhet e komedisë “Ëndërr në papafingo” përpiqen të përfitojnë përmes biografisë, ndërsa protagonistja lufton për lirinë. Situatat që mbajnë mbërthyer publikun në teatër, prekin dhe problemet e sotme të shoqërisë shqiptare.Komedia “Ëndërr në Papafingo” e Leka Bungos erdhi para artdashësve si bashkëpunim i teatrit Skampa të Elbasanit me Teatrin e Fierit .Në muajt në vazhdim kjo komedi do të shfaqet në disa qytete të tjera të vendit tonë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: