Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me ndryshimin e trupës gjykuese të zgjedhur me short në çështjen në Gjykatën e Lartë për ish-deputetin e PD Ervin Salianji.

Bardhi se ky është një akt i paprecedent. Ai shtoi se ndaj ish-ligjvënësit vijon padrejtësia. Ai i bëri thirrje gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që të mos pranojnë të përdoren politikisht.

Postimi i Gazment Bardhi:

Akti i paprecedent i ndryshimit të trupës gjykuese të zgjedhur me short në çështjen në Gjykatën e Lartë të kolegut Ervin Salianji, është shembulli më i shëmtuar sesi nuk mund të jetë kurrë drejtësia.

Pas një vendimi politik të Gjykatës së Apelit që burgosi Ervin Salianjin vetëm se është kundërshtar i regjimit të Edi Ramës, kushdo priste dhe pret drejtësi nga Gjykata e Lartë. Por deformimi i rezultateve të shortit përzgjedhës dhe ndryshimi i trupës brenda 24 orëve, pa dhënë asnjë shpjegim, është sinjal që paralajmëron vazhdimin e padrejtësisë.

Duke dënuar me forcë manipulimin në rastin konkret, apeloj që gjyqtarët e ndershëm në Gjykatën e Lartë të mos pranojnë të përdoren politikisht për të mbajtur gjallë një padrejtësi dhe për t’u keqpërdorur për hakmarrje politike ndaj kundërshtarëve të regjimit të Edi Ramës.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb