Presidenti i Institutit Pashko, Preç Zogaj në një intervistë me Skype në studion e News 24 tha se vota e diasporës është e mbushur me enigmë. Sipas tij, numri i votuesve nga diaspora nuk është dhe shumë i lartë, duke argumentuar se kjo ndodh, pasi shqiptarët jashtë vendit ndjejnë se qeveria në Shqipëri nuk ka lidhje drejtpërdrejtë me jetën e tyre jashtë.
“Për herë të parë votojnë emigrantët në këtë formë. Ka garë edhe në diasporë, njësoj siç ka edhe këtu. Duhet të presim, pasi hera e parë ka gjithmonë ka enigmat e veta. Janë 1.8 milionë votues me të drejtë vote nga diaspora. Pritet që rreth 250 mijë vetë do ushtrojnë votën me postë, që është i ulët në raport me numrin total të votuesve. Të gjitha partitë duan të marrin vota jashtë vendit. Mua më duket se nuk ka interes të madh për të votuar. Numri i votuesve s’është i lartë, sepse emigrantët nuk ndjejnë që qeveria mund të ketë lidhje me jetën e tyre. Numri jo i lartë i votuesve është në dëm të opozitës, sepse ajo do sa më shumë votues, që ta përmbysë situatën. Edhe PS, edhe PD, edhe partitë e vogla janë angazhuar për të pasur edhe votën e diasporës”, tha Zogaj.
Më tej, Zogaj shtoi se beson se vota e diasporës do të pasqyrojë të njëjtin raport në lidhje me partitë, që është dhe brenda Shqipërisë. Ai tha se nuk është pro nismës “Deputeti që duam”, pasi me anë saj shmanget karriera.
“Qeveria ka humbur elektorat brenda vendit. PS do të bëjë përpjekje, që të mos humbasë shumë elektorat. Rama e ka thënë vetë se i kanë munguar 100 mijë vota, nga kufiri prej 800 mijë votash, që ka synuar gjithmonë. Me diasporën, Rama kërkon që të rrisë numrin e votuesve. Platforma “Deputeti që duam” s’më pëlqen shumë, sepse duket si konkurs, ku luhet me ambiciet, luhet me avantazhet që sjell politika, partitë politike i kanë mësuar anëtarëve të tyre se duke u marrë me politikë mund të pasurohesh. Prandaj, nuk e shoh në mënyrë shumë pozitive. Është mënyrë që vret atë që quhet karrierë normale. Duhet të ketë “hipotekë” të karrierës”, deklaroi ai.
Në fund, Zogaj, duke folur për protestën e 8 Shkurtit, deklaroi se PD nuk ka arritur asnjëherë asgjë me tubime. Ai shtoi se ndoshta Partia Demokratike me këtë protestë do që të testojë ndryshimet e ndodhura në rrafsh ndërkombëtar, pas zgjedhjes së Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë.
“PD me primaret ka bërë mirë. Partia Demokratike premtoi lista të hapura dhe ky premtim doli të jetë bosh. Kërkesa për qeveri teknike nga PD ishte për të mobilizuar protestues. E kërkojnë (qeverinë teknike) për të thënë se janë duke bërë diçka, por nuk ka kuptim tani se zgjedhjet erdhën. PD me anë të protestave ndoshta do të testojë ndryshimet që kanë ndodhur në rrafshin ndërkombëtar. Ndoshta kjo është arsyeja që e kanë thirrur, të shohin reagimin. Protestat nuk janë për t’u sharë, kur nuk janë të dhunshme. PD asnjëherë nuk ka fituar ndonjëherë gjë me protesta. Partia Demokratike ka pasur rezultate kur është paraqitur si parti shtet-bërëse”, deklaroi ai.
(d.xh-Balkanweb)
