Shërbimi Postar Amerikan (USPS) njoftoi dje se nuk do të pranojë “përkohësisht” dhe “deri në njoftimin e mëtejshëm” paketa nga Kina kontinentale dhe Hong Kongu, pas vendosjes së tarifave doganore nga Uashingtoni dhe Pekini ndaj njëri-tjetrit.
“Ne i bëjmë thirrje SHBA-së që të ndalojë politizimin dhe instrumentalizimin e çështjeve ekonomike dhe tregtare dhe të ndalojë ushtrimin e presionit të panevojshëm mbi ndërmarrjet kineze”, tha Lin Jian, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, në një konferencë të rregullt me gazetarët sot.
USPS nuk dha arsyet e kësaj lëvizje në njoftimin e saj shumë të shkurtër, duke sqaruar vetëm se “fluksi i letrave dhe paketave të sheshta (me të njëjtën origjinë) nuk do të preket”.
Megjithatë, njoftimi erdhi në vazhdën e hakmarrjes së Pekinit në përgjigje të rritjes prej 10% të tarifave doganore amerikane për produktet e importuara nga Kina që hyri në fuqi dje. Më pas Pekini vendosi tarifat e veta për një sërë produktesh të importuara nga SHBA: qymyr, naftë ose makineri bujqësore.
Vendimi i USPS mund të bllokojë, të paktën përkohësisht, hyrjen në SHBA të paketave nga platformat veçanërisht të njohura të tregtisë elektronike, si Shein dhe Temu, të cilat shesin produkte me çmime të ulëta.
Një punonjës i zyrës postare në Macau i tha AFP sot se paketat mund të vazhdojnë të dërgohen në SHBA nga ky rajon i veçantë administrativ i Kinës. “Për momentin, ne nuk jemi prekur, sepse (pezullimi) ka të bëjë vetëm me parcelat me origjinë nga Kina kontinentale dhe Hong Kongu”, shtoi ai.
Artikujt me vlerë të ulët ishin të përjashtuar më parë nga taksat doganore në SHBA, por administrata e re e Trump e pezulloi këtë rregull, përveç vendosjes së tarifave shtesë.
Ky përjashtim kishte favorizuar shumë platformat Shein dhe Temu si dhe Amazon. Numri i dërgesave të përjashtuara ishte rritur me 600% në 10 vitet e fundit, për të arritur në 1.36 miliardë, vitin e kaluar, krahasuar me gati 140 milionë në vitin 2015.
Duke reaguar ndaj këtyre njoftimeve, aksionet e kompanive kineze të tregtisë elektronike ranë në bursën e Hong Kongut. Aksionet e JD.com humbën 5.6% të vlerës së saj sot. Shein dhe Temu nuk i janë përgjigjur ende kërkesave të AFP për koment.
Fillimisht, detyrimet doganore (25%) do të vendoseshin nga dje për eksportet nga Meksika dhe Kanadaja në SHBA. Por Donald Trump dha një periudhë mospagimi prej një muaji pasi mori angazhimet për të forcuar sigurinë kufitare. Meksika, Kanadaja dhe Kina janë partnerët kryesorë tregtarë të SHBA-së dhe së bashku përbëjnë mbi 40% të importeve në vend.
