Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu të enjten gatishmërinë e tij për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar mënyrat politike dhe diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.

Duke folur në një konferencë shtypi në Kiev pas një takimi me Odile Renaud-Basso, presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Zelensky akuzoi Putinin se kishte “frikë të fliste” me të për përfundimin e luftës.

“Presidenti i SHBA Donald Trump dhe vendet e BE besojnë se diplomacia është e pamundur pa Rusinë, pa Putinin. Prandaj thashë se jam gati (të takohem me të) nëse mund të biem dakord se si do të përfundojë kjo luftë për ne. Ne jemi gati për diplomaci, nuk e kam problem me këtë këtu. Problemi është se më duket se Putini në thelb ka frikë të flasë me mua për përfundimin e luftës.

Sa i përket dekretit ukrainas që ndalon çdo bisedë paqeje me Rusinë ndërsa Putin shërben si president i saj, të cilin Zelensky e nënshkroi vetë në vitin 2022, udhëheqësi ukrainas pretendoi se ai nuk vlen për të.

Duke komentuar raportet e mediave për planin e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, Zelensky tha: “Jam i sigurt se ekipet tona (SHBA-Ukrainë) do të punojnë së bashku. Nuk mund të ketë plan tjetër.”

Ai theksoi gjithashtu se Kievi po shikon kontakte zyrtare me Uashingtonin, duke përfshirë edhe planin e paqes.

Duke iu kthyer takimit me Renaud-Basso, Zelensky tha se ata diskutuan për ndihmën financiare të BE-së për Ukrainën.

Nga ana e saj, presidentja e BERZH tha se banka që ajo drejton aktualisht i ka dhënë Ukrainës ndihmë financiare në vlerë prej 6.2 miliardë euro (6.5 miliardë dollarë) që nga viti 2022 dhe ka në plan të vazhdojë të investojë në energji dhe sektorë privatë.

 

(A.A/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb