Analisti Lavdrim Lita, i ftuar në studion e News 24 foli për protestën e 8 Shkurtit të thirrur nga PD.
Lita u shpreh se do të kemi një marshim-protestë. Sipas tij, me këtë protestë, PD po çel edhe fushatën për zgjedhjet e 11 majit.
“Është një mega protestë, ku do ketë edhe një marshim të PD, ku denoncohet keqqeverisja. Kjo është çelja e fushatës për zgjedhjet e 11 majit. PD ka bërë me dije se edhe kandidati për kryeministër është Sali Berisha. Protesta vjen edhe pas akuzave të bëra nga ish zv kryeministri Arben Ahmetaj, që foli për luksin e qeveritarëve. Mendoj se nxjerrja në pah e skandaleve qeveritare, do sjellë më shumë pakënaqësi. Ka një bllokim të politikës me fytyrat e njëjta dhe me premtimet po njësoj. Meta do jetë në listë të sigurt, teksa i kthehet nderi në një farë mënyre për oponencën që ka bërë si president i Republikës. Primaret duhet të ishin bërë më herët”, tha Lita.
Duke folur për votën e diasporës, Lita u shpreh se ka shumë të panjohura. Sipas tij, PS e di shumë mirë sesi do të votojë diaspora, pasi “e mat” këtë me anë të metodës së patronazhimit.
“Vota e diasporës ka të panjohura. Një pjesë e emigrantëve që kanë ikur jashtë vitet e fundit, kanë pakënaqësi ndaj qeverisë dhe këta qytetarë pritet që ta ndëshkojnë qeverinë. PS e di shumë mirë se ku do shkojë vota e diasporës. Këtë e di përmes patronazhimit, por mund të ketë edhe forma që shkelin ligjin. Vota e diasporës është e pakontrollueshme, nuk i bën dot presion drejtpërdrejtë. Forca tunduese e qeverisjes për t’i zgjidhur hall qytetarit nuk është e ndikueshme”, u shpreh Lita.
Duke folur për zgjedhjet në Kosovë, Lita deklaroi se sondazhet tregojnë se Kurti është në avantazh.
“Ka një problem në raportin personal mes Grenell dhe Kurtit. Grenell në prapaskenë ishte ai që rrëzoi qeverinë e Kurtit 1. Për shkak të ndërhyrjes së Grenell, qytetarët e Kosovës do votojnë Albin Kurtin. Sondazhet tregojnë se ka avantazh të Kurtit në zgjedhje. Duhet të shikojmë nëse Kurti merr 50 përqind plus ose duhet të bëjë koalicion”, deklaroi Lita.
