Princ Leka ka publikuar një mesazh për qytetarët e Kosovës në prag të zgjedhjeve të nesërme, duke theksuar rëndësinë e ushtrimit të të drejtës së votës dhe duke nënvizuar se Kosova duhet të tregojë se është një partner i besueshëm për Shtetet e Bashkuara.

Princi Leka ka uruar partitë politike për fushatën zgjedhore. “Në këtë moment të rëndësishëm të procesit zgjedhor në Kosovë, dëshiroj të shpreh urimet e mia dhe të përgëzoj të gjitha partitë për fushatën e zhvilluar deri tani,” tha ai.

Ai më tej theksoi se qytetarët duhet të ushtrojnë të drejtën e votës, duke dëshmuar kështu angazhimin e Kosovës si një partner të besueshëm për SHBA-në.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by HRH Crown Prince Leka (@princleka)

Mesazhi i plotë:

Të dashur bashkëkombas,

Në këtë prag zgjedhjesh në Kosovë, dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia dhe të përgëzoj të gjitha partitë politike për fushatën e deritanishme.

Më lejoni t’ju drejtohem me një thirrje të sinqertë: Ushtrojeni të drejtën tuaj për të votuar!
Pjesëmarrja në zgjedhje dhe votimi janë ndër mënyrat më të rëndësishme për të kontribuar në forcimin e demokracisë dhe ndërtimin e një të ardhme më të mirë për vendin.

Gjithashtu, kjo është një mënyrë për të shprehur mirënjohjen tonë, një nga virtytet që na karakterizon, për ndihmën e vazhdueshme dhe për të dëshmuar se dimë të ndërtojmë një shtet të fortë mbi vlera demokratike. Po ashtu, tregon se jemi një partner i besueshëm për miqtë tanë ndërkombëtarë, me SHBA-në në krye, së cilës historikisht ne si shqiptarë ia dedikojmë vetë ekzistencën tonë kombëtare.

Le ta kthejmë këtë ditë në një festë të demokracisë, duke dëshmuar edhe një herë pjekurinë dhe përgjegjësinë tonë qytetare, ashtu siç kemi bërë gjithmonë dhe ashtu siç na bën krenarë kudo.

Vëllazërisht,
Leka II

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb